“Furtunë në policinë e Durrësit, ikin 3 drejtorë
Autori i Lajmit: Redaksia
Policia e Durrësit ka pësuar një tjetër furtunë në radhët e saj. Kësaj here tre drejtorë drejtorish dhe një punonjës i thjeshtë policie janë shkarkuar nga detyra. Shkak, është bërë vetëvarja e Klodian Bushit në dhomat e paraburgimit.
Shkarkimet
Tre zyrtarë të Drejtorisë së Policisë së këtij qyteti janë pezulluar nga detyra ndërsa një efektiv i policisë në sektorin e Patrullës së Përgjithshme është ndëshkuar me të njëjtën masë, lidhur me vetëvarjen në paraburgim të shtetasit Klodian Bushi.
Avokati i Popullit, i cili ka bërë një hetim në lidhje me ngjarjen, thekson në raportin e tij se ngjarja ka ndodhur për faj të efektivave të policisë në një kohë kur i ndaluari për vjedhje Klodian Bushi ishte vendosur në një nga dhomat e izolimit dhe si pasojë e gjendjes së rënduar psikologjike është vetëvarur me rrobat e tij. Në përgjigje të ankesës së Avokatit të Popullit, policia thekson se “Strukturat qendrore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, menjëherë pas marrjes dijeni për këtë ngjarje morën masa për verifikimin, trajtimin, analizimin e nxjerrjen e përgjegjësive, duke dërguar një ekip të kryesuar nga Drejtori i Rendit Publik. Nga analizimi dhe trajtimi i kësaj ngjarje ka rezultuar se strukturat e drejtorisë dhe komisariatit të policisë Durrës, kanë kryer shkelje të rregullave e normave të përcaktuara në aktet ligjore dhe nënligjore, që garantojnë liritë dhe të drejtat e personave në ambientet e mjediset e policisë.
Nis procedimi
Për këtë qëllim ka filluar procedimi disiplinor për dhënien e masave administrative për punonjësit e policisë përgjegjës për ngjarjen e ndodhur, si: Kryekomisar Isuf Vllasa, me detyrë Shefi i Sektorit të Rendit dhe Sigurisë Publike, në Drejtorinë e Policisë të Qarkut Durrës. Kryekomisar Baki Gjergji, me detyrë Shefi i Sektorit Ekonomik, në Drejtorinë e Policisë të Qarkut Durrës. Komisar Genc Peka, me detyrë Shefi i Seksionit të Rendit dhe Sigurisë Publike, në Komisariatin e Policisë Durrës. Inspektor Beqir Gjergji, me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshme, në Seksionin e Rendit dhe Sigurisë Publike, në Komisariatin e Policisë Durrës. Për këtë punonjës policie menjëherë pas ngjarjes, është marrë masa e pezullimit paraprak. Duke marrë shkas nga ngjarja e ndodhur, me qëllim marrjen e masave për tu mos u përsëritur raste të tilla, është tërhequr vëmendja gjithë strukturave të policisë vendore duke ju dërguar për njohje e zbatim shkresën nr. 7224/2, datë 08.12.2009 “Përshkrim mbi ngjarjen e ndodhur në ambientet e shoqërimit të Komisariatit të Policisë Durrës, për vetëvarjen e shtetasit Klodian Bushi, më datë 12.11.2009”.
Familjarët: “Klodiani u
vetëvar se e rrahën policët”
Familjarët e të ndjerit kanë pretendime, se vetëvarjen i ndjeri e ka bërë për shkak të ushtrimit të dhunës fizike ndaj tij nga punonjësit e policisë, por deri tani nuk janë provuar pretendimet e tyre. Megjithatë lidhur me këto pretendime të familjarëve, Avokati i Popullit është në pritje të përfundimit të aktit të ekspertimit mjeko-ligjor nga Instituti i Mjekësisë Ligjore. Po ky institucion bën me dije se, “Më pas mund të shprehemi përmes një rekomandimi tjetër”. Për këtë ngjarje nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës është filluar çështja penale dhe përveç veprimeve të tjera procedurale është marrë edhe vendimi për kryerjen e ekspertimit mjeko-ligjor të shtetasit Klodian Bushi. Nga ana jonë u konstatua se kërkesat (pyetjet) në vendimin organit të prokurorisë për ekspertimin e të ndjerit ishin të paplota. Avokati i Popullit bën me dije se, për të arritur në një konkluzion objektiv në përfundim të hetimit që po bëhet nga institucioni ynë, me dt. 17.11.2009 i kërkuam Institutit të Mjekësisë Ligjore që të na informojë lidhur me shkakun e vdekjes së tij dhe faktin se, përse nuk jetoi i ndjeri, megjithëse ai u dërgua i gjallë në spital.
Raporti i policisë së Durrësit
për vdekjen e të arrestuarit
Në raportin e policisë ngjarja shpjegohet si më poshtë: Nga shqyrtimi i kësaj çështjeje rezultoi se nga informacionet e policisë, shtetasi Klodian Bushi ishte autor i dyshuar i vjedhjes së një banese në qytetin e Durrësit, ndodhur në datën 09.11.2009, ku ishin vjedhur disa sende (bizhuteri), disa prej të cilëve ishin shitur nga bashkëshortja e tij në një dyqan që tregton sende floriri. Nga Komisariati i Policisë Durrës ishte bërë referimi i veprës penale Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe i është kërkuar prokurorit të çështjes thirrja e të dyshuarve dhe kryerja e veprimeve hetimore procedurale, ndërmjet të tjerave edhe paraqitja për njohje e bashkëshortes së Klodianit. Me miratimin e prokurorit, shtetasit Klodian e Gjulferie Bushi në datën 12.11.2009, rreth orës 16.00 u thirrën verbalisht nga punonjësit e policisë Maringlen Muçaj, me detyrë specialist për hetimin e krimeve kundër pronës dhe Arben Luçi, me detyrë specialist i policisë së zonës, që të vinin në Komisariatin e Policisë. Meqenëse Klodiani nuk ishte në banesë në kohën që shkuan punonjësit e policisë, këta i thanë bashkëshortes së tij që të paraqiteshin të dy në polici në kohën që Klodiani do të vinte në banesë. Në raport thuhet se bashkëshortja e tij ka treguar në lidhje me ngjarjen dhe punonjësi i policisë, Beqir Gjergji, pasi i ka bërë kontrollin personal, e ka shoqëruar Klodianin në dhomat e shoqërimit, të cilat ndodhen në katin e parë, prapa godinës së policisë. Atij i ka lënë vetëm cigare dhe e ka mbyllur në këtë ambient të pajisur me derë hekuri, shul e dryn, pa ndriçim elektrik dhe në errësirë të plotë. Punonjësi i policisë ka konstatuar se pas disa kohësh i mbyllur, Klodian Bushi ishte varur prapa derës me një rrobë, (benevrekë) të cilën e kishte lidhur në qafë dhe krahun tjetër të saj në hekurat sipër derës. Atij i është ofruar ndihmë, por ishte tepër vonë, ai vdes në spital.
Ky lajm është publikuar: 17/01/2010