E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qëlloi me armë fugonin me gra, RENEA arreston në Mat të kërkuarin

Autori i Lajmit: Redaksia
Një person i akuzuar për vrasje të mbetur në tentativë u arrestua dje nga forcat speciale RENEA gjatë një aksioni i koduar "Akullnaja" zhvilluar në Mat.
Burime zyrtare të policisë, thanë se është arrestuar i kërkuari Petrit Pupla, i akuzuar për vrasje në tentative dhe armëmbajtje pa leje.
Arrest me burg
Sipas burimeve nga policia, i kërkuari ndaj të cilit gjykata ka vendosur masën “arrest me burg” në mungesë, akuzohet se ka qëlluar me armë një fugon pasagjerësh në Mat, duke plagosur dy gra. Ngjarja ka ndodhur disa muaj më parë ndërsa shpallja në kërkim e të dyshuarit është bërë në datë 1 shtator 2009. Në momentin e kryerjes së krimit personi ka arritur të largohet menjëherë nga vendngjarja. Por, nga të shtënat kanë mbetur të plagosura dy gra, të cilat pasi kanë marrë ndihmën e shpejtë kanë mundur të dalin jashtë rrezikut për jetën. Shkaku i qëllimit të tij drejt fugonit mësohet të ketë qenë grabitja.
Operacioni
Policia tha se në rrugë operative ka marrë informacion për vendqëndrimin e të kërkuarit dhe më pas ka organizuar arrestimin e tij nga forcat speciale. Nga sa mësohet i shumëkërkuari nga policia ka vendosur të mos e braktisë qytetin e Matit. Ai prej kohës që ishte i shpallur në kërkim jetonte i fshehur tek miqtë e tij në po të njëjtin qytet. Por, mësohet se RENEA ka ndërhyrë pasi ka marrë njoftime nga qytetarët në lidhje me vendndodhjen e tij. Burime pranë këtij reparti bëjnë me dije se i kërkuari nuk ka bërë rezistencë ndaj forcave speciale dhe është dorëzuar, sapo atij është kërkuar. Nga sa mësohet, në momentin e arrestimit, i kërkuari pupla ndodhej në shoqërinë e disa miqve të tij. Nuk dihet ende nëse ai ka tentuar të largohet, por mësohet se arrestimi ka qenë i lehtë për forcat speciale të dërguara nga Tirana.

Ky lajm është publikuar: 17/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›