Robert Alija, prezanton projektin “Hijena dhe minj” në ekspozitën “Onufri”
Në kuadrin e ekspozitës së përvitshme të artit bashkëkohor “Onufri” që zhvillohet në Galerinë Kombëtare të Arteve, nga 24 Dhjetor, 2009 deri me 25 Janar, 2010 po prezantohen projektime të titulluara “Hijena dhe minj” nga Robert Alija, i cili e ka marrë ngacmimin nga vënia në pikëpyetje e dinjitetit human nëpërmjet mediave elektronike në ditët e sotme, por që trajtohet në formën e një përralle klasike të përshtateshme për fëmij.
Ky projekt do të angazhojë si fillim disa klasa fillore të shkollës 8-vjeçare “Edith Durham” duke i përfshirë ata direkt në një projekt edukues dhe krijues si fazë thelbësore në realizimin e këtij projekti. E gjitha kjo ka për qëllim të nxisë kreativitetin e fëmijëve dhe ndjeshmërinë e tyre artistike duke i sjell më pranë institucioneve të artit dhe anasjelltas. Kjo do të shërbejë edhe në sensibilizimin e prindërve për të kuptuar fenomene të mprehta sociale nëpërmjet rezultatit të punës së fëmijëve. Pra një projekt me vlera artistike dhe me përmbajtje të thellë sociale. I gjithë ky proces artistik që do të realizohet në auditoret e shkollës, dhe do të finalizohet me ekspozimin punëve të nxënësve në ambientet e Galerisë Kombëtare. Në mbyllje të evenimentit ky projekt do të shoqërohet me një katalog ose një dokumentar DVD. Ky është një projekt pilot që në vitin 2010 synon shtrirjen në të gjitha shkollat e tjera 8-vjeçare të kryeqytetit, në partneritet me Ministrinë e Arsimit, për të rritur edukimin masiv artistik të brezit të ri. Projekti ka mbështetjen në formë bashkëpunimi edhe me qendrën Art Kontakt nën kurimin e Andi Tepelenës. Gjatë projektit do të ketë dhe ndarjen e një çmimi inkurajues “Artisti Premtues” që konsiston në një komplet bojrash dhe një kavalet, ditën e mbylljes së projektit në Galerinë Kombëtare.
18 Janar 2010