Pensionet, masa e kontributit për punonjësit part-time
Autori i Lajmit: Redaksia
Për qëllimet e llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, masa e kontributit për t’u paguar për punëmarrësit me kohë të pjesshme përcaktohet nga vendimi i Këshillit të Ministrave Nr. 1114, datë 30.7.2008, të ndryshuar. Në zbatim të këtij vendimi, për të punësuarit, marrëdhëniet e punës të të cilëve rregullohen në bazë të Ligjit Nr. 7961, datë 12.7.1995 “Kodi i Punës në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, që janë me kontratë pune, me ose pa afat, por me kohë të pjesshme, që zgjat më pak se 87 orë në muaj, kontributi i detyrueshëm për sigurimet, shoqërore e shëndetësore, llogaritet për degët e sigurimit, barrë-lindje, pensione, aksidente në punë e sëmundje profesionale dhe sigurim shëndetësor, në përqindjet përkatëse, mbi pagën bruto mujore sipas listë-pagesës, por jo më pak se niveli i pagës bruto të përcaktuar në Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 995, datë 2.7.2008. Paga maksimale mujore për efekt të llogaritjes së kontributeve, edhe për këta të punësuar, do të jetë ajo e përcaktuar në vendimin e Këshillit të Ministrave.
Kontributi i detyrueshëm
Ndërsa Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH), në Tiranë sqaron se cilat janë kategoritë e punonjësve për pagesat e detyruara si dhe procedurat që duhet të ndjekin ato për të kryer pagesat e kontributeve. Sipas ISSH-së, mjaft të vetëpunësuar, ose të vetëpunësuar që punësojnë edhe të tretë në punët e tyre, pavarësisht nga kohëzgjatja e aktivitetit, përfshihen në skemën e sigurimit të detyrueshëm. I vetëpunësuari, i vetëpunësuari në ortakëri, i vetëpunësuari që punëson të tretë (me përjashtim të të vetëpunësuarve në bujqësi), duke filluar nga 1.9.2006 e në vazhdim, derdh kontribute të detyrueshme për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore në masën 33.2 për qind të pagës mujore minimale, për efekt të llogaritjes së kontributit të sigurimeve shoqërore e shëndetësore.
Kategoritë e punëmarrësve
Janë një sërë kategorish punonjësish që përfshihen në skemën e sigurimit të detyrueshëm. Së pari, në këtë skemë përfshihen të gjithë të punësuarit me mandat kushtetues, të punësuarit e emëruar, të punësuarit me kontratë pune, pa ose me afat me më shumë se 1 muaj e që punojnë me kohë të plotë ose të pjesshme pune, për më shumë se 24 orë në javë. Kjo kategori punonjësish sigurohet në mënyrë të detyrueshme në këto degë sigurimi: për sëmundje, barrëlindje, pensione, aksidente në punë e sëmundje profesionale, papunësi dhe sigurim shëndetësor. Por pjesë e skemës së sigurimit të detyrueshëm janë edhe të punësuarit me kontratë pune, me ose pa afat, por me kohë të pjesshme pune, që zgjat më pak se 24 orë në javë. Kategoria e sipërpërmendur e punonjësve sigurohet në mënyrë të detyrueshme në nivel minimal në këto degë sigurimi: barrëlindje, pensione, aksidente në punë e sëmundje profesionale si dhe sigurim shëndetësor. Ndërkohë pjesë kësaj skeme janë edhe të punësuarit me kontratë pune, me afat me më pak se 1 javë gjatë vitit, me kohë të plotë ose të pjesshme pune. Kjo kategori punonjësish sigurohet në mënyrë të detyrueshme në këto degë sigurimi: aksidente në punë e sëmundje profesionale si dhe sigurim shëndetësor.
Kategoritë e veçanta
Përveç punonjësve të sipërpërmendur, pjesë e skemës së sigurimit të detyrueshëm janë edhe disa kategori të veçanta, që duhet të paguajnë kontribute shoqërore dhe shëndetësore për të qenë të siguruar. Konkretisht në kategoritë e veçanta përfshihen: Personat me të ardhura të rregullta nga pronësia, mbi 16 vjeç, që paguajnë kontribute vetëm për sigurimin shëndetësor; Kursantët dhe studentët për kohën e praktikës mësimore, që sigurohen nga punëdhënësi vetëm për aksidentet në punë; Shtetasit e huaj dhe personat pa shtetësi, që punojnë në Republikën e Shqipërisë, që sigurohen po sipas rregullave të mësipërme, kur janë të punësuar, punëdhënës, ose të vetëpunësuar. Ndërkohë, në rast se pronarët e personave juridikë ushtrojnë funksione drejtuese, si administratorë, apo çdo funksion tjetër, atëherë ata trajtohen si të punësuar dhe janë pjesë e skemës së sigurimit të detyrueshëm. Po ashtu, edhe pjesëtarët e papaguar të familjes, që punojnë e bashkëjetojnë me punëdhënësin privat dhe të vetëpunësuarin, të cilët sigurohen në nivel minimal për barrëlindje, pensione dhe sigurim shëndetësor janë të përfshirë në skemën e sigurimit të detyrueshëm. Periudha e mbrojtjes nga sigurimet shoqërore nis ditën kur personi ka filluar ligjërisht veprimtarinë ekonomike dhe mbaron kur përfundon ligjërisht kjo veprimtari. Pagesat e kontributeve gëzojnë përparësi në raport me detyrimet fiskale dhe borxhet, që do të thotë se subjektet nuk mund të paguajnë detyrimet e tjera, qoftë dhe ato fiskale pa paguar kontributet e sigurimeve shoqërore.
Të ardhurat mbi të cilat llogariten dhe paguhen kontributet
Mbështetur në Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr.771, datë 13.11.2003 “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, në Republikën e Shqipërisë”, paga bruto, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore është paga e caktuar sipas legjislacionit në fuqi ose në kontratën e punës, sipas rastit, me kohë ose vëllim pune, dhe shtesat e tjera me karakter të përhershëm, që lindin në marrëdhëniet e punës. Në pagën bruto, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, nuk përfshihen:
1. Përfitimet që punëmarrësi merr në mënyrë të përhershme nga fondet e sigurimeve shoqërore;
2. Kompensimet nga rritja e çmimeve;
3. Dhuratat në të holla, që nuk kanë karakter të përhershëm dhe të përgjithshëm;
4. Të ardhurat nga detyrimi ushqimor, të caktuar me vendim gjykate;
5. Vlera e antidodeve, që punëdhënësi jep në natyrë për personat e punësuar sipas legjislacionit në fuqi;
6. Shpërblimet me karakter jo të përhershëm, të lejuara në mbështetje të legjislacionit në fuqi, shpërblimet nga fondi i veçantë, për rastet e fatkeqësive, për sëmundjet e gjata, për dëme në raste fatkeqësish të mëdha natyrore e për veprimtari të shquara;
7. Vlera e shpenzimeve për të punësuarit, që kryejnë veprimtari jashtë qendrës së banimit;
8. Honorarët apo shpërblimet e tjera të kësaj natyre, që nuk kanë lidhje me marrëdhëniet e punës.
Ky lajm është publikuar: 17/01/2010