E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kalimash, vdekja e turkut, akuzohet drejtuesi të vinçit

Autori i Lajmit: Redaksia
Policia e Kukësit ka ngritur akuzën e shkeljes së rregullave të sigurimit teknik për manovratorin e vinçit në tunelin e Kalimashit pas ngjarjes së ndodhur dy ditë më parë kur një punonjës turk gjeti vdekjen. Sipas burimeve zyrtare nga policia e Kukësit mësohet se mënjëherë pas ngjarjes, specialistët e hetimit të krimeve shkuan në vendin e ngjarjes dhe kryen veprimet proceduriale. “Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, ka rezultuar se vdekja e shtetasit Kasem Dylber, 40 vjeç, lindur e banues në Turqi, me qëndrim të përkohshëm në Shqipëri, ka ardhur si pasojë e pakujdesisë së drejtuesit të vinçit”, tha policia. Sipas saj, pas hetimeve në vendin e ngjarjes ndaj personit të dyshuar është ngritur akuza e shkeljes së rregullave të sigurimit teknik në punë me pasojë vdekjen. Për këtë akuzë, punonjësi në fjalë po ndiqet penalisht në gjendje të lirë. Dy ditë më parë në orët e mbrëmjes, punëtori turk humbi jetën në Kalimash si pasojë e goditjes në kokë nga vinçi gjatë manovrimeve brenda tunelit. Pas kryerjes së autopsisë, shtetasi turk është kthyer në atdhe pranë familjes për ceremoninë mortore.

Ky lajm është publikuar: 17/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›