E Shtunë, 31 Tetor 2026

Furtunë në radhët e policisë, largohet drejtori i Tiranës

 

Dashamir Biçaku

Pas 30 muajsh drejtimi në krye të policisë së Tiranës, Drejtues i Parë Muhamet Rrumbullaku dorëzoi dje detyrën për arsye shëndetësore. Lëvizja e kreut të policisë së Tiranës është pasuar me ndryshime të tjera në strukturat e policisë. Në këtë mënyrë, ndryshimet kanë prekur edhe funksionin e zv/drejtorit të Policisë së Qarkut Tiranë, Edmond Rizai. Kreu i policisë Ahmet Prençi ka vendosur dje të komandojë në mënyrë të përkohshme si drejtor të policisë së Qarkut Tiranë, Hamdi Fjorën me gradë Drejtues të Parë, ndërsa zëvendësdrejtor është komanduar kryekomisar Arben Caka. Burime zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, thanë se Muhamet Rrumbullaku, pasi ka lënë detyrën e kreut të policisë së Tiranës me kërkesën e tij, është emëruar drejtor i Akademisë së Policisë "Arben Zylyftari". Rrumbullaku, prej më tepër se tre muajsh kishte bërë një kërkesë largimi për shkaqe shëndetësore. Burimet zyrtare thanë se ish-kreu i policisë së Tiranës, kishte përsëritur kërkesën e tij për largimin nga detyra, duke e argumentuar atë për shkaqe personale. Ish-kryepolici i Tiranës në detyrën e re pritet të drejtojë të gjitha trajnimet për personelin e ri, që do të shërbejë në radhët e Policisë. Muhamet Rrumbullaku, pritet të jetë menaxhues i programit të trajnimit bazë 11-javor, i nevojshëm për 6500 oficerë policie në nivel operacional. Ish-zëvendësi i Rrumbullakut, Edmond Rizai, është emëruar prej disa javësh, këshilltar i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, ndërsa edhe ai mbajti detyrën e zv/drejtorit të policisë së Tiranës për gati dy vite. Drejtori i ri Hamdi Fjora është rikomanduar në postin e kreut të policisë së një qarku të madh, pas rastit të Elbasanit. Një muaj më parë, ai mori përkohësisht këtë detyrë, pas vendit të lënë vakant nga Arben Hysenaj, deri në emërimin e Aleks Hajdarit në krye të Policisë së Elbasanit. Në ndryshimet e tjera të bëra dje në polici, bie në sy emërimi i Shkëlqim Saços, në krye të Drejtorisë së Arsimit Policor në Departamentin e Trajnimit Policor. "Me këto ndryshime Policia e Shtetit, synon të japë sinjalin e vendosmërisë dhe rëndësisë për të ofruar një shërbim policor të trajnuar mjaft mirë për një staf më profesional, për të përmbushur misionin e Policisë së Shtetit në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në përputhje me ligjin, si edhe në respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut", thuhet në deklaratën e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë. Sipas saj, ndryshimet e fundit në polici janë mirëpritur dhe mbështetur edhe nga përfaqësuesit ndërkombëtarë, si ICITAP dhe PAMECA. Ndërkaq ditën e djeshme në ambientet e drejtorisë së Policisë së Qarkut, ish-kryepolici i Tiranës, Muhamet Rrumbullaku, ka lënë detyrën në një ceremoni ku janë prezantuar edhe drejtuesit e përkohshëm të bluve të Tiranës. Ish-drejtuesi ka falënderuar vartësit dhe bashkëpunëtorët. Ai gjithashtu ka bërë edhe një prezantim të rezultateve të punës së bluve, gjatë kohës së qëndrimit të tij në krye të strukturës më të madhe vendore të policisë në vend. Më parë, Rrumbullaku, ka kryer detyra të ndryshme të policisë në nivel vendor dhe qendror. 

Largimi, Rrumbullaku falënderon stafin

Muhamet Rrumbullaku, në ditën e fundit të punës së tij në cilësinë e kreut të Policisë së Tiranës, ka përfituar të flasë përpara ish-vartësve të tij. Duke lënë pa përmendur atë që sipas tij është rezultat i angazhimit të së gjithë individëve të bluve të kryeqytetit, Rrumbullaku, ka pohuar se ka pasur një ndryshim rrënjësor të punës, që nga polici në komunitet, komunikimi me publikun, por ajo çka ka qenë më e rëndësishme sipas drejtuesit të sapolarguar, është goditja e krimit të organizuar. Rrumbullaku, përmendi operacionet e ndryshme policore në drejtim të antidrogës, antitrafikut dhe sektorëve të tjerë.

Ndryshimet në strukturat e policisë

Muhamet Rrumbullaku,  Ish-drejtor i Policisë së Qarkut Tiranë emërohet drejtor i Akademisë së Policisë
Hamdi Fjora, Ish-drejtor i Drejtorisë së Forcave Speciale, komandohet si drejtor i Policisë Qarkut Tiranë
Jashar Vreka, Ish-drejtor i Akademisë së Policisë emërohet këshilltar i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë
Shkëlqim Saço, Ish-këshilltar i Drejtorit të Përgjithshëm, emërohet drejtor i Drejtorisë së Arsimimit Policor
Edmond Rizai, Ish-zv/drejtor i Policisë së Qarkut Tiranë, emërohet këshilltar i Drejtorit të Përgjithshëm.
Arben Caka, Ish-shef i Operacioneve Speciale në policinë e Tiranës, komandohet zv/drejtor për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë e Tiranës

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›