Muzeu, projekt për invalidët
SHKODER - Muzeu i Shkodrës është përzgjedhur në rang vendi për t'u shërbyer edhe personave me aftësi të kufizuar. Me këtë rast në bibliotekën e qytetit të Shkodrës "Marin Barleti" është zhvilluar një seminar trajnues me specialistë dhe punonjës të muzeve kombëtarë të Tiranës, Bosnjës, Serbisë, Kosovës Maqedonisë si dhe të Shkodrës. Zamir Tafilica, drejtor i muzeut të Shkodrës thotë se: "Vazhdimisht këtu vijnë vizitorë që kanë vështirësi në të parë, të dëgjuar apo edhe në të lëvizurit, por harrojmë se edhe ata, si çdo qytetar tjetër kanë të drejtën që të ndjekin dhe të frekuentojnë këto institucione". Konkretisht është vendosur, që për t'i ndihmuar ata në lëvizjen nga kati përdhes në katin e sipërm do të vendosen parmakë mbrojtës dhe ndihmës njëkohësisht. Një ndërhyrje tjetër do të bëhet në llojin e ndriçimit tek ata persona që kanë probleme me shikimin. Për ta do të bëhet rritja e masave të germave në eksponatet e muzeut, për personat me probleme në dëgjim ata do të pajisen me aparatura që rrisin dëgjimin. Kjo do të realizohet falë një projekti 4-vjeçar, i cili krahas marrjes së eksperiencave, në muzeun e Shkodrës do të ketë edhe një subvencion financiar në lidhje me ndërhyrjet, që priten të bëhen në plotësimin e kushteve për të ndihmuar personat me aftësi të kufizuar. Muzeu i Shkodrës ishte i vetmi muze lokal që ishte përfshirë në një eveniment të tillë dhe tashmë pritet vetëm përshtatja e tij totale. r.d