Malltezi: Fazlliç, klienti im, por jo për fonde publike
Bledar Hoti
Vajza e kryeministrit, Argita Malltezi, i cilëson si mashtrime dhe të pavërteta deklaratat e bëra kohët e fundit për çështjen e biznesmenit Fazlliç. Në një deklaratë publike, Malltezi shmang çdo ndikim të sajin në shpalljen e Porto Romanos si park energjetik. Në një deklaratë të sajën, avokatja Berisha ka deklaruar se njerëzit që e akuzojnë atë le t'i bëjnë publike faktet që ata i disponojnë. "Ditët e fundit kanë qenë të ngarkuara me trillimin e radhës së skalioneve të radhitura pas interesave të prishura ekonomike dhe politike mbi tullumbacen që kësaj here është bërë e njohur për publikun si çështja 'Fazlliç'.
Dëshiroj të sqaroj publikun për ato që unë i konsideroj momentet më të rëndësishme në lidhje me aktivitetin tim: Për shkak të pozicionit tim dhe të familjes sime, në asnjë rast nuk kam përfaqësuar dhe nuk mbështes me shërbime ligjore ato aktivitete që bazohen mbi prokurimet (pra fonde) publike apo mbi asete shtetërore. Në këtë kontekst, shërbimet e kryera nga studioja ime për z.Fazlliç nuk kanë të bëjnë me sektorin publik", deklaron Argita Malltezi. Ajo më pas deklaron se, "nuk kam qenë anëtare e asnjë bordi, komisioni, apo grupi të çfarëdo lloji që është marrë me procesin ligjor, apo çdolloj procesi të ngjashëm që lidhet me parkun energjetik të Porto Romanos". "Në dijeninë time ky fakt vlen dhe për avokaten Flutura Kola. Sfidoj mashtruesit, të cilët pretenduan se disponojnë prova për pjesëmarrjen time në këtë proces që t'i bëjnë ato publike", thekson Berisha. E bija e kryeministrit i cilëson pretendimet e opozitës si trillime dhe mashtrime, pasi sipas saj e gjithë tymnaja e kësaj çështjeje është e nxitur për interesa të pandershme politike dhe ekonomike. "Shpreh bindjen se shumë shpejt të gjitha këto interesa do të zbardhen për publikun, duke lënë lakuriq në imoralitetin e tyre fabrikuesit e shpifjeve. Individët dhe grupet që kanë si bukë të përditshme mashtrimet, mbrohen nga fakti që unë, për një kod moral të familjes sime, nuk i drejtohem gjykatës. Dua t'u kujtoj atyre se, pavarësisht nga kjo, të gjitha mashtrimet e hedhura deri më sot në adresën time për konsum politik janë sfumuar për arsyen e vetme, se asnjëra prej tyre nuk e ka kaluar dot testin e së vërtetës", thekson Malltezi. Vajza e kryeministrit saktëson se çdo vendim i saj i marrë nga studio që ajo drejton është marrë konform ligjeve në fuqi. "Çdo detaj i aktivitetit tim profesional është tërësisht konform rregullave dhe ligjeve në fuqi. Pas çdo stuhie vjen kohë e mirë, dhe në dritën e diellit nuk mund të fshihet as e vërteta e as mashtrimi", deklaron Argita Malltezi. Deklarata e saj vjen pas akuzave që opozita i ka drejtuar Kryeministrit Berisha se ka ndihmuar biznesmenin Damir Fazlliç, i cili është asistuar nga studioja ligjore "Kola&MAlltezi", pjesë e së cilës drejtohet nga vajza e tij, Argita. Ky është reagimi i parë publik i avokates Malltezi në lidhje me këtë çështje, e cila hedh poshtë çdo pretendim të opozitës.
Breçani: S’kam audituar kompanitë e Damir Fazlliç
Ekspertja kontabël, Shpresa Breçani, në një deklaratë publike shprehet se nuk ka asnjë lidhje me firmat e biznesmenit boshnjak Damir Fazlliç, duke mos i kryer asnjë auditim. Sipas saj, të gjitha akuzat ndaj saj nuk janë gjë tjetër vetëm shpifje dhe që nuk qëndrojnë. "Prej dhjetë ditësh disa media me një protagonizëm të theksuar politik dhe pa asnjë provë kanë spekuluar duke më atribuuar mua si eksperte kontabël, auditin e disa kompanive që shtypi i lidh me emrin e biznesmenit anglo-boshnjak Damir Fazlliç. Unë i hedh poshtë me neveri këto shpifje, duke qenë e gatshme për çdo ballafaqim të fakteve, akuzave dhe spekulimeve edhe në prokurori", deklaron Breçani. Ajo hedh poshtë në mënyrë kategorike se mund t'i ketë kryer shërbime firmave Fazlliç. "Duke qenë një profesioniste e fushës së auditit, ligji nuk më kufizon për të bërë çdo audit në një treg të hapur dhe konkurrent të kësaj fushe, por dua të sqaroj qartësisht opinionin se nuk kam pasur asnjë lidhje me firmat e biznesmenit Damir Fazlliç, nuk kam mbajtur dhe as nuk kam audituar asnjë nga këto kompani, edhe pse ma lejon ligji", deklaron Breçani. Sipas saj, kjo mund të konfirmohet qartë dhe pa asnjë vështirësi nëpërmjet dokumentacioneve që depozitohen në disa institucione shtetërore, siç janë Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Qendra Kombëtare e Regjistrimit të Bizneseve. "Nisur nga parimi kushtetues që gjithkush ka të drejtë të punësohet diku ose të ushtrojë aktivitet privat, dua të shpjegoj se profesioni im si eksperte kontabël e autorizuar është profesion i pavarur, i mbështetur në ligjin nr. 7638, datë 19.11.1992, "Për Shoqëritë Tregtare", ndryshuar me ligjin nr. 9901, datë 14.04.2008, "Për Tregtarët dhe Shoqëritë Tregtare", sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 150, datë 31.03.2000 dhe shtesat e ndryshimet e këtyre rregullave të miratuara me vendim nr. 625, datë 12.11.2001 si dhe në rregulloren për organizimin e profesionit të ekspertëve kontabël të autorizuar, miratuar nga IEKA", thekson Breçani. Ajo shton se, "ushtroj veprimtarinë time private konform ligjeve të vendit dhe atyre ndërkombëtare, dhe jo nga parime politike, klanore dhe mercenare, siç mund të udhëhiqet ndonjë person që e sulmon publikisht".