E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkollat edhe këtë vit pa ngrohje

 

FIER - Rrezikojnë mbylljen shumë shkolla të Fierit, të cilat ende nuk janë pajisur me sistemin e ngrohjes në ambientet e tyre. Edhe gjatë këtij dimri institucionet arsimore pritet t'i nënshtrohen të ftohtit. Të përfshira në këtë grupim, mesa duket të destinuara të mos përfitojnë investime, do të jenë shkollat e sistemit 9-vjeçar dhe të mesëm, por nuk mbetet jashtë kësaj skeme dhe sistemi parashkollor. Sipas burimeve nga Drejtoria Arsimore në Fier vetëm në kopshte dhe çerdhe është menduar, që të ketë ngrohje me gaz. Por kjo zgjidhje nuk është pranuar nga Inspektorati i Higjienës në Drejtorinë e Shëndetit Publik të Fierit, i cili nuk lejon praninë e gazit në ambientet me fëmijë. Inspektorët e Higjienës thonë se pushteti vendor ende nuk i ka dhënë një zgjidhje përfundimtare problemit të ngrohjes nëpër shkolla. "Gjithçka mbetet si në vitin e kaluar. Bashkitë dhe komunat nuk kanë asnjë projekt për zgjidhjen e problemit të ngrohjes. Ne u kemi thënë se do t'i mbyllim ato shkolla, kopshte e çerdhe, që nuk sigurojnë të ngrohtin sipas rregullave të sigurimit teknik", deklarojnë burimet, ndërsa kanë shtuar se u është bërë njoftim me shkrim për gjendjen faktike të shkollave të gjitha njësive të qeverisjes vendore, duke u kërkuar atyre marrjen e masave konkrete. Ndërkaq, në shumë njësi vendore i tërhiqet vëmendja Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, si faktori kryesor në zvarritjen e investimeve në shkollë, qofshin këto të gjitha sferave. Deklarata më e fundit vjen nga Bashkia e Roskovecit, sipas të cilës ministria ka braktisur gjithë investimet për ngrohjen në shkolla.                 m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›