Hetohet pjesëmarrja e Fazlliç në tendera
TIRANE - Në kontaktet që organi i akuzës i kryeqytetit ka pasur me institucionet, të cilëve u ka kërkuar të dhëna për veprimtarinë e Fazlliçit, ka marrë përgjigje se po punohej për verifikimin dhe se deri në fund të javës, prokuroria do të ketë në dorë të gjithë materialin e kërkuar. Shumica prej institucioneve e kanë argumentuar vonesën me faktin se ende punojnë me regjistra letre dhe se është e vështirë të kryhet verifikimi brenda një dite. Ndërkohë 19 bankat që veprojnë në vend pritet t'i kthejnë përgjigje prokurorisë brenda ditës së sotme. Kjo për faktin se këta institucione punojnë me sisteme kompjuterike dhe e kanë të lehtë nxjerrjen e informacioneve. Po kështu Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive pritet të kthejë përgjigje prokurorisë nëse Fazlliçi ka pasuri dhe nëse ka informacione të detajuara për to. Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave i është kërkuar informacion mbi faktin, nëse Fazlliçi ka kaluar mallra nëpër pika të kalimit kufitar, kurse Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, nëse Fazlliçi i kishte regjistruar apo jo në këtë institucion bizneset e veta. Institucioni i fundit shtetëror që do t'i japë informacione prokurorisë është Agjencia e Prokurimeve Publike, e cila do të sqarojë nëse kompanitë e Fazlliç kanë marrë pjesë në tenderë apo prokurime publike.