E Shtunë, 31 Tetor 2026

kja e Fazlliçit, merret në pyetje shefi i komisariatit të Rinasit

 

TIRANE - Prokurorët që po hetojnë biznesmenin boshnjak Damir Fazlliç kanë marrë në pyetje shefin e komisariatit të Rinasit për rrethanat në të cilat 33-vjeçari u largua nga Shqipëria, ndërsa Prokuroria nuk arriti ta merrte në pyetje. Urim Rexhepi, drejtues i komisariatit të policisë së Rinasit është marrë në pyetje nga grupi i prokurorëve, që po hetojnë dosjen "Fazlliç", pasi edhe drejtuesi i policisë po hetohet për shpërdorim detyre. Prokuroria tha se shefi i komisariatit të Rinasit Urim Rexhepi, është marrë në pyetje si person me dijeni për rrethanat e hetimit, megjithëse statusi i tij në këtë çështje mund të ndryshojë së shpejti. Prokurorët kanë kërkuar sqarime në detaje për veprimet që shefi i komisariatit dhe efektivat në varësi të tij kanë kryer ditën kur në Shqipëri qëndroi për disa orë biznesmeni i shumëpërfolur Damir Fazlliç. Grupi hetimor është përpjekur të fiksojë të gjitha momentet me orare konkrete për të bërë më pas ballafaqimin e kohës kur shefi i policisë së Rinasit ka marrë dijeni për ftesën që Prokuroria i bëri biznesmenit Fazlliç dhe kohën kur ky i fundit u largua nga vendi ynë. Shefit të komisariatit të Rinasit i janë kërkuar sqarime edhe nëse e ka shoqëruar biznesmenin Fazlliç apo e ka ndihmuar atë të largohej para kohe nga Shqipëria, duke mos i lënë mundësi Prokurorisë për marrjen e tij në pyetje. Urim Rexhepi mësohet se u ka pohuar hetuesve të Prokurorisë së Tiranës se kishte vepruar sipas rregullave dhe ligjeve të vendit. Në deklarimet e tij ai ka hedhur poshtë akuzat e bëra për mosveprim nga ana e policisë, në rastin e ftesës së Prokurorisë drejtuar biznesmenit Damir Fazlliç.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›