E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sekuestro në gjykatë pronave të Fazlliç

 

Fatos Mahmutaj

Prokuroria e Tiranës pritet të dorëzojë sot në gjykatë kërkesën për sekuestrimin e pronave të biznesmenit serbo-boshnjak, Damir Fazlliç. Burime pranë hetimit të çështjes pohuan dje, se organi i akuzës i kryeqytetit ndodhej në pritje të konfirmimeve nga 24 institucionet private dhe shtetërore në vend, në lidhje me identifikimin e aseteve, llogarive bankare apo transaksioneve e pagesave që mund të ketë bërë Fazlliç apo kompanitë në të cilat ai është ortak, i vetëm, bashkortak apo anëtar i këshillit mbikëqyrës. Shkresa që pritet të depozitohet sot në sekretarinë e gjykatës ka si qëllim vendosjen e sekuestros preventive për tetë shoqëritë e Fazlliçit, të cilat u identifikuan në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit të Shoqërive Tregtare. Disa prej këtyre shoqërive rezultojnë të jenë prona të biznesmenit serbo-boshnjak, i cili mban edhe shtetësi angleze, ndërsa në disa të tjera zotëron vetëm pjesë të aksioneve. Kurse në dy prej këtyre shoqërive Fazlliçi rezulton të jetë anëtar i këshillit mbikëqyrës.
Avokatët amerikanë
Gjatë ditëve të ardhshme, pritet që në Tiranë të mbërrijnë dy avokatë amerikanë të studios “Skadden” të ngarkuar nga Fazlliç për t'u njohur me materialet hetimore në ngarkim tij. Avokati kryeqytetas, i zgjedhur nga Fazlliç për ta mbrojtur penalisht Genci Gjokutaj, e pohoi faktin se në Tiranë do të vinin sot dy mbrojtësit amerikanë, të cilët do të merreshin vetëm me pjesën civile të problemit, që ka të bëjë me shoqëritë tregtare të Fazlliçit, dokumentacioni i të cilave tashmë është sekuestruar nga prokuroria. Avokati Gjokutaj pohoi gjithashtu, se ende nuk dispononte një prokurë nga biznesmeni serbo-boshnjak, ndërsa duke folur për kolegët nga SHBA pohoi se roli i tyre do të ishte vetëm këshillimor dhe ndihmues, pasi ligjet shqiptare nuk e lejojnë mbrojtjen nga avokatë të huaj.
Hetimi
Kërkesa që prokuroria pritet të dorëzojë në gjykatë gjatë ditës së sotme, sipas burimeve pranë hetimit, është mbështetur vetëm në dokumentacionin që është bllokuar në QKR, ndërsa përgjigjet e bankave dhe institucioneve të tjera, që priten gjatë ditëve në vazhdim, do të jenë objekt i kërkesave të tjera të ngjashme në gjykatë. Ndërkohë sipas prokurorisë, nëse do të identifikohen llogari bankare të Fazlliçit, do të kërkohet bllokimi i tyre në mënyrë të menjëhershme. Po kështu, nëse do të verifikohen transaksione bankare mes shoqërive të tij, apo personalisht të Damir Fazlliçit, prokuroria do të shohë ligjshmërinë e tyre, si origjinën e parave, mënyrën e kryerjes së transaksionit dhe vendin ku kanë përfunduar. Momentalisht, prokuroria dyshon se në bazë të transfertave të dyshimta dhe shitjeve të aksioneve mes kompanive të tij, Fazlliç ka konsumuar elementë të veprës penale të "pastrimit të produkteve të krimit", për të cilën është marrë nën hetim.

Ligji që "mbron" biznesmenin Fazlliç

TIRANE - Kodi Penal shqiptar "mbron" biznesmenin Damir Fazlliç nga akuza e ngritur ndaj tij prej prokurorisë. Neni 287 i Kodit Penal, për pastrimin e produkteve të veprës penale, përcakton shprehimisht se i pandehuri akuzohet për "pastrim parash" në rast se provohet, se pasuritë janë përfituar përmes një veprimtarie kriminale e më pas janë pastruar përmes veprimeve të caktuara. Por ndërsa Prokuroria shqiptare është duke hetuar për "pastrim parash", ndaj biznesmenit Fazlliç, sipas akuzës është e vështirë të provohet se paratë e pastruara kanë qenë produkte të një vepre penale për shkak se Fazlliçi nuk ka pasur asnjë aktivitet në Shqipëri, i cili mund të hetohet, derisa regjistroi kompanitë në vitin 2005 e më pas. Kodi Penal megjithatë, kërkon prova se i pandehuri i ka përfituar paratë e pastruara nga një vepër e mëparshme penale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›