Fusha e plehrave prodhon ndotje për Sarandën
Fusha e depozitimit të mbetjeve urbane të qytetit të Sarandës është vendosur prej vitesh në një nga kodrat e Volloderit, 6 kilometra larg qytetit, në degëzimin e rrugës së Bregdetit. Por efektet ndotëse të saj ndjehen kaq të afërta, sikur ajo të ishte brenda në qytet. Në mënyrë të përsëritur kthehet në vatër ndotëse për banorët e fshatrave Vromero, Shelegar dhe Gjashtë e Metoq. Shpesh ndotja provokohet, duke bërë ndezje të plehrave të depozituara, sikurse ka ndodhur edhe këto ditë, kur re tymi dhe pluhuri, të dëmshme për shëndetin, kanë veshur atmosferën dhe kurorat e pishave të mbetura mbi Sarandë.
Banorë të këtyre fshatrave dhe qytetarë të Sarandës këtë që ka ndodhur këto ditë e marrin si një parathënie të keqe të përballjes me problemet në rritje, që me sa duket do të krijojë kjo fushë e depozitimit të mbetjeve urbane edhe këtë verë. Megjithëse tenderi për pastrimin e Sarandës kaloi nga firma “Vogli 95” në dorë të një firme të vetë bashkisë e tani së fundi fituese e tenderit është kompania “Bruçi” nga Tirana, nga zakoni i vjetër i djegies së plehrave, në vend të teknologjisë së “varrosjes”, nuk është hequr dorë. U vihet flaka plehrave për të pakësuar shpenzimet e firmës, por kështu u “dhurohet” tymi dhe ndotja mijëra banorëve të fshatrave më të afërta me këtë vatër ndotjeje mjedisore, si dhe mijëra të tjerëve që banojnë në qytetin e Sarandës.
Kryetari i Komunës së Finiqit, Ziso Lluci, që më të afërt me vend-depozitimin e plehrave ka fshatin Vromero, si dhe Shaban Tushe, kryetar i fshatit Shelegar, kanë qenë denoncues të papërgjegjshmërisë së firmës. Gjendja e krijuar është e padurueshme dhe e patolerueshme”, u shpreh kryekomunari Lluci. Ndërsa Shaban Tusha tha se “po përsëritet e njëjta situatë e shkaktuar verën e kaluar, kur tymi mbeti mbi kokat tona për ditë me radhë dhe ne kemi thithur ajër të ndotur”. Në emër të bashkëfshatarëve, ai ka kërkuar të përshpejtohet puna për t’i dhënë fund sjelljes së firmës së pastrimit, pasi në kundërt ai tha se do të bëjnë bllokimin e rrugës.
#