Vrasja e Takut të Yzberishtit, nga profesionistë
Ekzekutimi misterioz i Spartak Canajt, natën e 30 marsit në Tiranë, dyshohet se është realizuar nga profesionistë të fushës, pra nga vrasës me pagesë. Hetimet e Prokurorisë së Tiranës kanë nxjerrë në dritë fakte të reja, ndërsa verifikimet e atyre pak provave të gjetura në vendngjarje kanë nxjerrë konkluzionin se vrasja është realizuar me mjeshtri të madhe nga autorët e ngjarjes. Grupi hetimor i ngritur pas kësaj çështjeje me ekspertë të prokurorisë dhe policisë ka verifikuar të gjitha pistat hetimore, ndërsa së fundi po hetohet më përparësi “konflikti i pronave”. Dyshohet se viktima, i quajtur si “Taku i Yzberishtit”, kishte një pronë me vlerë 2 milionë euro. Këtë pronë, nga verifikimet e organit të akuzës, Canaj e kishte shitur tre herë, ndërsa u bënte presion ndërtuesve për moskthimin e shumës. “Nga informacionet e marra në mënyrë operative kemi të dhëna se viktima Spartak Canaj u bënte presion biznesmenëve për pronën që kishte në periferi të Tiranës, në Yzberisht. Këtë pronë e ka shitur disa herë, ndërsa ka pasur konflikte edhe me fqinjët”, deklarojnë burime nga Prokuroria e Tiranës.
Pistat hetimoreProkuroria e Tiranës tha se ka ngritur tri pista hetimore për vrasjen e Spartak Canajt, i konsideruar “i forti” i Yzberishtit. Pista e parë ka të bëjë me një konflikt të vjetër me një ish-shokun e tij, me të cilin ka pasur disa konfrontime. Për këtë pistë hetimore, prokurorët dhe oficerët e policisë gjyqësore kanë marrë në pyetje personin konkret, i cili ka mohuar në mënyrë kategorike të ketë ndonjë konflikt e aq më tepër që ta ketë vrarë. Pista e dytë hetimore, e cila po hetohet tashmë me përparësi, ka të bëjë me një çështje pronësie. Disa javë para se të vritej, Spartak Canaj kishte pasur një konflikt me një ndërtues në zonën e Yzberishtit, ku i ekzekutuari i kishte edhe pronat. Ndërkohë, pista e tretë, por jo nga rëndësia, është konflikti i 35-vjeçarit për një femër. Disa ditë para ekzekutimit, prokuroria ka marrë informacione se Canaj është konfliktuar me disa persona, ndërsa në pyetje është marrë edhe vajza, e cila ka pranuar se ka pasur një konflikt. Ndërkohë, prokuroria ka marrë në dorë tri vendime që Canaj është dënuar për ngritjen e pistave të reja. Ka të dhëna se “Taku” është dënuar tri herë. Në vitin 1991 është dënuar për veprime të pamoralshme në dëm të shoqërisë. Në vitin 1996 është dënuar për plagosje dhe dënimi i fundit është në vitin 2003, ku është dënuar për rrëmbim të mbetur në tentativë dhe kanosje, për të cilën u dënua me 11 muaj burg.
DëshmitarëtHetimet e prokurorisë kanë vijuar me verifikimin e telefonatave të Canajt ditën që është ekzekutuar. Personat që kanë kontaktuar me të janë paraqitur në prokurori dhe kanë dhënë variante se kanë folur me të për disa sqarime, ndërsa asnjë prej tyre nuk ka dhënë të dhëna për konflikte të mundshme të 35-vjeçarit. Ata thanë se Taku ishte një tip i hedhur dhe kishte shumë shoqëri. Ndërkohë, vrasja e ndodhur natën e 30 marsit në Tiranë ka pasur dëshmitarë okularë. Prokuroria e Tiranës dyshon se “Taku” është vrarë në prani të një mikeshe, të cilën po e shoqëronte për në shtëpi. Befas, dikush i ka prerë rrugën dhe ka qëlluar ndaj tij disa herë. Nga plumbat e marrë 35-vjeçari ka humbur jetën disa orë më vonë në Spitalin Ushtarak. Në dhomat e shoqërimit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës ka qenë e pranishme edhe një vajzë e re. Vajza, sipas burimeve nga prokuroria, ka qenë e tronditur dhe është marrë në pyetje disa herë. Megjithatë, dëshmia e saj nuk e ka identifikuar autorin. Sipas të dhënave, vajza ka treguar gjatësinë e autorit, si dhe veshjen që mbante, pasi nga fytyra nuk e kishte parë, duke qenë se ngjarja ndodhi shumë shpejt. Të dhënat e përfituara nga vajza nuk u kanë shërbyer hetuesve të çështjes, të cilët kanë “gërmuar” për konfliktet e Spartak Canajt në të kaluarën. Nga të dhënat zyrtare të Prokurorisë së Tiranës mësohet se në pyetje, krahas vajzës që ka qenë në vendngjarje, është marrë edhe një vajzë tjetër, e cila ka dëshmuar rreth konflikteve të Spartakut me persona konkretë.
#