Fusha nën ujë, shtyhet ndeshja Shkumbini - Dinamo
PEQIN- Terreni tejet i vështirë në Peqin, ka bërë që ndeshja e parë çerekfinale e Kupës së Shqipërisë mes Shkumbinit dhe Dinamos, të shtyhet për një datë të pacaktuar. Dy skuadrat ishin gati për të nisur lojën, por fusha në Peqin ka qenë në kushte vërtetë të mjerueshme dhe topi ngecte në ujë, duke mos kërcyer. Më pas, arbitri i ndeshjes Edvin Hoxha, me mirëkuptimin edhe të dy skuadrave, ka vendosur që të mos luhet. Ndeshja Shkumbini-Dinamo është e dyta që shtyhet në harkun e 24 orëve, pas asaj mes Gramozit dhe Teutës ditën e mërkurë. Koha e keqe ka bërë që disa ndeshje si në kampionat, ashtu edhe në Kupë, të shtyhen, duke sjellë probleme të mëdha edhe në mbarëvajtjen e aktivitetit. Në fakt, më 27 shkurt përfundon faza e dytë dhe Federatës i duhet renditja e plotë për të ndërtuar kalendarin e fazës së tretë. Një gjë e tillë duket e pamundur, duke qenë se ndeshja mes Skënderbeut dhe Teutës, e programuar për të shtunën e kaluar, u shty si rrjedhojë e borës së madhe. Në këtë mënyrë, pritet që pas dy javësh, të kemi një shtyrje në bllok të Superligës, për shkak të mungesës së datave të lira. (e.n/A.Latifi/BalkanWeb)