Lushnje, veteranët denoncojnë grabitjen e eshtrave të dëshmorëve
LUSHNJE- Veteranët e Lushnjës kanë ngritur këto ditë pretendimin për grabitjen e eshtrave të disa dëshmorëve të luftës në varrezat e dëshmorëve të këtij rrethi. Sipas kreut të shoqatës së veteranëve të Lushnjës, eshtrat e dëshmorëve u grabitën ndërsa ishin vendosur në disa thasë në ambientet e brendshme të godinës në afërsi të varrezave, pas një vendimi të Këshillit Bashkiak për marrjen e tyre nga fshatrat ku ishin të vendosur dhe vendosjen e tyre në varrezat e dëshmorëve të qytetit. Ndërkohë burime nga Prokuroria konfirmojnë faktin se është thyer xhami i godinës në afërsi të varrezave nga persona të papërgjegjshëm, por nuk konfirmojnë vjedhjen e eshtrave të dëshmorëve. E njëjta gjë deklarohet edhe nga kreu i Bashkisë së Lushnjës Albert Sanxhaku i cili thotë se nuk ka informacion për humbjen apo grabitjen e eshtrave. Ky precedent u bë publik në një moment kur opinioni publik është shokuar nga zbulimi i një varreze masive pranë malit të Dajtit nga krimet e tmerrshme të diktaturës. Kreu i Shoqatës së veteranëve shprehet i bindur kur thotë se pranë varrezave të dëshmorëve në Lushnjë ka patur vjedhje të eshtrave të dëshmorëve dhe kërkon një hetim të detajuar për këtë cështje. (e.n/News24/BalkanWeb)