E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berat, masiv gurësh mbi lagjen Mangalem

BERAT- Një masiv i konsiderueshëm dheu e gurësh ka shkarë gjatë mbrëmjes së sotme nga kodra e qytetit të Beratit duke rënë mbi murin mbrojtës të lagjes Mangalem. Muri mbrojtës është dëmtuar në një pjesë të tij, duke rrezikuar seriozisht edhe "Kishen e Shën Mehillit", e cila është një nga veprat e rralla të këtij qyteti muze, ndërsa rreshqitja e dherave dhe gurëve nga kodra ku ndodhet Kalaja e Beratit ka vënë në panik banorët. Një pjesë e dherave dhe gurëve ka përfunduar deri në rrugën kryesore dhe të vetme të qytetit të Beratit, por për fat të mirë nuk ka patur dëmtime në mjete apo njerëz. Forca të policisë së rendit si dhe asaj bashkiake kanë stabilizuar menjëherë situatën e krijuar në rrugë duke larguar dherat dhe gurët e rënë nga kodra. Lagja muzeale "Mangalem" është një nga lagjet ku herë pas here ndodhin rrëshqitje të dheut ndërsa ende nuk është bërë një projekt për mirëmbrojtjen e saj. Rrëshqitjet ndikohen nga shirat e shumtë, ndërsa mësohet se situata më e fundit e krijuar në këtë lagje është qetësuar duke qenë se edhe rreshjet e shiut kanë përfunduar duke mos sjellë rrezik të mëtejshëm për rëshqitjen e dherave. (m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›