Kosovë, Daci i ofron Sejdiut koalicion parazgjedhor
PRISHTINE- Lideri i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Nexhat Daci, ka bërë të ditur se i ka dërguar kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fatmir Sejdiut, një letër ku i bën një ofertë për bashkëpunim, respektivisht për një koalicion parazgjedhor. “LDD ka vlerësuar se është koha që të ofrojë një zgjidhje, një alternativë dhe sot një nga alternativat e mundshme të daljes nga kriza e thelluar është, që kryetarit të LDK-së dr.Fatmir Sejdiut i kam dërguar një letër, ofertë për bashkëpunim, ofertë për një koalicion parazgjedhor, konform qëndrimeve tona reale dhe duke respektuar rrugën e përbashkët që kemi pas një kohë të gjatë”, ka thënë të enjten Daci, në një konferencë për media. Daci ka shpjeguar se nuk ka dashur që t’i dërgojë letër publike Sejdiut, por ka shtuar se, “i mbetet kryetarit të LDK-së të vendosë se a dëshiron ta bëjë publike a jo”, ngase nga LDD - siç tha ai - e ka atë leje. “LDD nuk e ka në koncept të luajë lojëra”, tha lideri i LDD-së, akademik Nexhat Daci. Për tërë këtë kohë, sipas liderit të LDD-së, partitë në koalicion nuk kanë pasur qëllim mbarëvajtjen e shtetit, “por përkundrazi secila ka shikuar se çfarë ti bëjë njëra tjetrës, deri në momentet e gjakosjes së partnerëve për shtetin”.(m.a/telegraf/BalkanWeb)