Fushat, shpëtim për futbollin
Lajmi për sigurimin e një fondi prej rreth gjysmë milioni euro për ndërtimin e gjashtë stadiumeve ndihmëse të futbollit në gjashtë komuna të Kosovës i ka gëzuar shumë të gjithë ata që merren me futbollin kosovar.
Pas shumë konsultave mes Ministrisë së Sportit me zyrtarë të Komisionit Evropian, komunave dhe Federatës së Futbollit të Kosovës, është arritur të sigurohet fondi për ndërtimin e gjashtë stadiumeve ndihmëse - sipas standardeve të FIFA-s, me bar artificial (fusha sintetike).
Realizimi i këtij projekti konsiderohet si ‘shpëtim’ për futbollin kosovar, i cili aktualisht është në gjendje të rëndë në çdo pikëpamje, përfshirë edhe atë infrastrukturor. Kështu mendon edhe selektori i përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaku.
“Padyshim se ky është njëri prej hapave më të rëndësishëm rreth zhvillimit të futbollit kosovar. E them me bindje të plotë se ndërtimi i këtyre fushave do ta shpëtojë futbollin kosovar dhe në situatën aktuale nuk ka qenë e mundur të bëhet një punë më e mirë sesa kjo”, deklaroi Bunjaku për Express, i cili prej kohësh thoshte se ndërtimi i disa fushave të tilla është i domosdoshëm.
Këtë bindje të tij, Bunjaku e shpjegon edhe me argumente. “Ato fusha do të mund të shfrytëzohen deri në 2 mijë orë brenda një viti, për dallim prej fushave tjera që nuk mund të shfrytëzohen deri në 150 orë në vit, e që te ne realisht shfrytëzohen deri në rreth 300 orë”, shpjegon ai.
“Kur skuadrat kosovare janë në pushime prej garave kampionale, ato nuk do të pauzojnë më me muaj siç ndodhte, por do të kenë mundësi që përgatitjet t’i vazhdojnë apo edhe të zhvillojnë ndeshje të ndryshme edhe kur moti është i ligë. Po ashtu, ekipet do të mund të kursehen dhe fazat përgatitore mos t’i zhvillojnë jashtë Kosovës, por ato t’i zhvillojnë në komunat e tyre”, shtoi ai.
Sipas Bunjakut, këto fusha do të kontribuojnë shumë edhe në zhvillimin e mëtutjeshëm të talenteve kosovarë. Ai kujtoi se këto fusha do të mund të shfrytëzohen edhe për zhvillim të ndeshjeve kampionale.
Ai theksoi se këto fusha mbi të gjitha do t’i shërbejnë shumë edhe përfaqësueses së Kosovës, e cila edhe kur rrallë organizonte ndonjë kamp, ushtronte në kushte të rënda infrastrukturore.
“Më kujtohet një tubim para ndeshjes me Shqipërinë. Ishte borë dhe nuk kishte fushë për të stërvitur. Shkuam në Kishnicë kinse atje kushtet ishin më të mira, por fusha ishte përplot me ujë dhe e mbuluar me borë, derisa topi nuk kërcente fare në atë fushë. Kurse tani sigurisht se do të kemi kushte më të mira dhe jam i bindur se ato fusha do të japin fryte”, tha ai.
Nga ky projekt që financohet nga Komisioni Evropian, më së shumti do të përfitojnë Mitrovica, Peja, Gjakova, Ferizaj, Gjilani e Drenasi. Njëherësh është një nga projektet më të mëdha që është realizuar ndonjëherë në sport që prej themelimit të MKRS-së.