Policia blindon zonën përqark stadiumit
Ndeshja Shqipëri-Francë do të zhvillohet nën masa të rrepta sigurie që do të shoqërojnë këtë sfidë para dhe pas 90 minutave në “Qemal Stafa”. Për këtë, Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, ka bërë publike masat që do të marrë për mbarëvajtjen e kësaj sfide, duke nisur që nga bllokimi i akseve rrugore që të lidhin me stadiumin. Duke nisur nga ora 14:00 deri në orën 24:00 të ditës së premte, qarkullimi i makinave do të jetë i bllokuar në rrugët “Dervish Hima”, “Asim Zeneli” dhe “Lekë Dukagjini”. I ndaluar do të jetë parkimi rreth stadiumit “Qemal Stafa”, ndërsa hyrja e tifozëve do të shoqërohet me kontroll të rreptë të uniformave blu të kryeqytetit.