E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuqi gëzon Oldhamin

Shefki Kuqi ka nënshkruar kontratë njëvjeçare me ekipin anglez Oldham Athletic. Drejtuesit e skuadrës nga liga e tretë angleze (League One) ndihen të lumtur që ia dolën t’i sigurojnë shërbimet e sulmuesit kosovar, derisa shpresojnë që nga përvoja e 34 vjeçarit të mësojnë futbollistët tjerë të rinj. Nga Express më 02 shtator 2011 në ora 12:20

Shefki Kuqi është bërë me skuadër të re në momentet e fundit të afatit kalimtar të verës, i cili u mbyll të mërkurën mbrëma. Futbollisti kosovar ka nënshkruar kontratë njëvjeçare me skuadrën nga liga e tretë angleze (League One), Oldham Athletic.

Udhëheqësit e kësaj skuadre nuk e fshehin gëzimin që ia kanë dalë t’i sigurojnë shërbimet e sulmuesit me pasaportë finlandeze, i cili së fundmi luajti në Premierligë me Newcastle United.

Më i gëzuari duket të jetë menaxheri i Oldham Athletic, Paul Dickov, i cili e njeh mirë Kuqin, pasi në të kaluarën të dy ishin bashkëlojtarë në Blackburn Rovers. Dickov është i lumtur që e ka përforcuar repartin sulmues të ekipit të tij me transferimin e ish reprezentuesit finlandez.

Menaxheri i Oldham Athletic e kishte përcjellë sulmuesin 34 vjeçar që një kohë të gjatë, dhe më në fund arriti ta transferojë në ekipin e tij, qysh në orën e fundit të afatit kalimtar të verës.

“Shefkiu është një lojtar që e kam përcjell që një kohë të gjatë. Na është nevojitur më shumë kohë sesa që kemi menduar, por duhej të kishim durim dhe në një moment dukej se ai do të shkonte në ndonjë klub në Championship. Kam zhvilluar biseda të gjata me Shefkiun dhe ai e ka mbajtur fjalën e dhënë”, ka deklaruar Dickov.

Ai ka shtuar se Kuqi, i cili i gjatë karrierës ka shënuar 147 gola në 518 ndeshje, do sjellë përvojën e tij në Oldham Athletic. Por, ai beson se vushtrriasi do shënojë edhe gola.

“Kam luajtur së bashku me Shefkiun për një vit në Blackburn, andaj e njoh personalisht dhe ai do të jetë përforcim fantastik në fushë dhe jashtë saj. Ai është një prej futbollistëve më të shëndoshë që kam njohur ndonjëherë”, është shprehur Dickov.

Ai mbetet me shpresë që përvoja e gjatë e vushtrriasit do t’u shërbejë edhe futbollistëve tjerë të rinj të Oldham Athletic. “Është fantastike për sulmuesit e tjerë ta kenë dikë pranë që ka luajtur në shkallën më të lartë të futbollit. Shpresoj që ata do ta përcjellin dhe do të mësojnë shumë prej tij”, ka pohuar Dickov.

Kuqi gjatë karrierës e ka veshur 62 herë fanellën e Kombëtares finlandeze, derisa ka luajtur edhe për këto skuadra: Stockport County, Sheffield Wednesday, Ipswich Town, Blackburn Rovers, Crystal Palace, Fulham, Derby Conty, Swansea City dhe së fundit në Newcastle.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›