E Diel, 1 Nëntor 2026

Biletat në tregun e zi, 8 persona në pranga

Ndërsa në dyqanet e PLUS, aty ku federate ka vendosur të shesë biletat e ndeshjeve të kombëtares kuqezi, nuk gjendet më asnjë, në sheshin para stadiumit ishin të shumtë ata që shisnin pa frikë. Por duket se kjo situatë nuk ka zgjatur shumë, pasi gjatë orëve të mbrëmjes së djeshme, blutë e kryeqytetit me anë të një operacioni policor kanë bërë të mundur arrestimin e 8 personave, të cilët shisnin biletat e ndeshjes Shqipëri-Francë me çmime disa herë më të larta. Burime nga Policia e Tiranës bëjnë të ditur se ata janë arrestuar në kohën kur ishin duke “bërë pazar” me disa tifoz për t’u shitur bileta. Ndërkohë ende nuk bëhen të ditur identietet e të arrestuarve, por mësohet se ata janë të moshave 25-50 vjeç. Sipas të dhënave paraprake mësohet se çmimet e biletave ishin tre-fishuar. Në tribunën përkarshi, që është e ndarë në tre sektorë, D1, D2 dhe D3, çmimet ishin rritur nga 2000 lekë (D1, D3) në 3000 apo 4000 lekë, ndërsa D2, që realisht kushton 3000 lekë, kishte kapur shifrën e 5000 lekëve, por kishte raste që këto bileta shiteshin deri në 10000 lekë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›