E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fushata, Berisha në Qytetin Studenti: Të kthejmë fitoren e ‘92

Kreu i PD ka zgjedhur sheshin Demokracia, aty ku nisi rrëzimi i sistemit komunist për tiu këkruar studentëve votën. Kësja here 19 vjet më pas, Berisha kërkoi mbështetjen e të rinjve duke iu premtuar se do ta bejë Shqipërinë si gjithë Europa. 

TIRANE- Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka zgjedhur të njëjtin shesh ku nisi rrëzimi i sistemit komunist, për tju drejtuar studentëve duke u kërkuar atyre votën më 28 qershor. Nga sheshi Demokracia, por kësaj here 19 vjet më pas, Berisha kërkoi mbështetjen e të rinjve duke u premtuar atyre se do ta bëjë Shqipërinë si gjithë Europa.
“Në këtë shesh, 19 vjet më parë u ndesh Davidi me Goliathin. Davidi ishit ju, Goliathi ishte diktatura më e egër në Europë. Ndaj unë dhe qeveria ime do të bëjmë çdo gjë për suksesin tuaj në jetë, do të bëjmë gjithçka që ju të fluturoni si zogj të lirë, pa viza, në mbarë Europën. Do të bëjmë gjithçka, së bashku me ju, që vendi juaj të marrë fytyrën tuaj, që ju të jeni imazhi europian i Shqipërisë” theksoi Berisha.

Por fakti që rivali i tij, kreu i Partisë Socialiste Edi Rama e nisi fushatën pikërisht pranë studentëve nuk mund të shpëtonte pa u kritikuar nga njeriu që mbështeti protestën e studentëve në dhjetorin e vitit 1990.
“Pas 19 vitesh, 3 javë me parë, në këtë shesh, u shfaqën si kapuçonë bijtë e etërve që ne i përmbysëm pikërisht këtu. Ata më ngjanin si mbeturina të ushtrive të shpartalluara që shkojnë e rikthehen në vaterlonë e tyre. Unë i them zotit Rama: Ja ku jam me këta student” u shpreh kreu i Partisë Demokratike.

Nga sheshi Demokracia, kryeministri Berisha ka cuar edhe një paralajmërim i cili padyshim që do të jetë i vështirë për tu mbajtur prej tij, ajo e fitores së zgjedhjeve edhe për tetë vitet e ardhshme.
“Atë që u bëra etërve në vitin ’92, atë që u bëra bijve në vitin 2005, do t’ua bëjmë sërish në vitin 2009, do t’ua bëjmë në vitin 2017” deklaroi Berisha.

Zoti Berisha ftoi gjithashtu studentët të rikthejnë fitoren e marsit të vitit 1992, duke i ftuar që këto ditë të bindin cdo qytetar shqiptar “për të votuar projektin e Shqipërisë Europiane”.
(e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›