E Diel, 1 Nëntor 2026

Fushata, PS-PD "përplasen" në Qarkun e Fierit

Berisha: Do të realizojmë

tri herë më shumë investime

Kryeministri vijon turin, ndalon në qytetin e Lushnjës

"Qeveria ime do të financojë projektet e kryetarëve të komunave socialiste, edhe pse ata i përkasin një force tjetër". Ky ishte premtimi i djeshëm i Kryeministrit Sali Berisha në një takim në qytetin e Lushnjës. Lideri i mazhorancës në pushtet bëri thirrje që këto zgjedhje të mund të shndërrohen në festën e Partisë Demokratike. "Pse e them këtë? E them këtë sepse një Shqipëri evropiane është trashëgimia më absolute, që ne mund të lëmë për këta të rinj dhe këta fëmijë. Ndaj dhe këto zgjedhje janë prova jonë, duhen t‘i marrim letërnjoftimet. Ju garantoj se ato do të kenë shumë e shumë përdorime, jashtëzakonisht të dobishme për ju. Jo vetëm për zgjedhjet, për të votuar", u shpreh ai. "Ne e nisim fushatën elektorale me një marrëveshje të re me ju, vijoi Berisha, me një marrëveshje shumë të rëndësishme". "Në marrëveshjen e parë që patëm katër vitet që shkuan, ne së bashku kemi realizuar disa objektiva shumë të mëdha, kemi kthyer në realitet ëndrra të mëdha, realiteti i madh është anëtarësimi në NATO i Shqipërisë", nënvizoi Kryeministri. Duke bërë një bilanc të punës së tij katërvjeçare dhe duke përmendur premtimet, si rritja e rrogave dhe pensioneve, kryetari i PD-së nuk la pa iu referuar edhe investimeve në infrastrukturë. Kryeministri Berisha premtoi se pas katër vjetësh pensionet në Shqipëri do të jenë më të larta se ato të Bashkimit Evropian. "Unë ju garantoj se në tre vitet që do të vijnë do të investojmë tri herë më shumë për ju, për fëmijët tuaj, për prodhimet tuaja, për rrugët tuaja, për kanalizimet, ujësjellësit, vaditjen, mbrojtjen e tokës. Ju ftoj më 28 qershor të merrni të gjithë pjesë në votime, të votoni për mandatin e dytë të kësaj qeverie, të votoni për Myzeqenë, për Lushnjën për Shqipërinë Evropiane", u shpreh Berisha. "Në katër vite, kur para nesh ndodhej muri i krimit dhe korrupsionit, kur buxheti i qeverisë ishte dy herë më i vogël se ky që është sot, nënvizoi ai, ne shpallëm se do të shtojmë katër mijë kilometra rrugë". "Ne shpallëm se do të dyfishonim pensionet tuaja, do të dyfishonim rrogat e mësuesve të fëmijëve tanë, do shtrijmë internetin në çdo shkollë, ne nuk kishim para, kishim vetëm shpresën tonë", u shpreh Kryeministri. Berisha premtoi se "do të çojmë ujin në çdo shtëpi, pensionet e fshatit do arrijnë ato të qytetit, jo vetëm që do t‘i arrijnë ato, por ju jap fjalën se pas katër vitesh do të keni një pension të barabartë me fermerët e së paku gjashtë vendeve të Bashkimit Evropian". Sipas tij, "Evropë do të thotë mirësi, do të thotë ujë 24 orë, do të thotë drita 24 orë, do të thotë rrugë të asfaltuara, do të thotë pensione dinjitoze, do të thotë shkolla me internet dhe moderne". Kreu i qeverisë theksoi se "Evropë do të thotë të keni mbështetjen e shtetit për prodhimet tuaja, absolutisht gjatë këtij mandati jo vetëm që do të financojmë çdo projekt që ju ndihmon juve, është më i përshtatshëm për ju".

Kryetari i Partisë Socialiste u kërkoi zgjedhësve të Patosit të votojnë masivisht në 28 qershor

Rama: Qeverisja e PS-së nuk

do të kushtëzohet nga numrat

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, vijoi dje takimet e tij elektorale në zonën e Patosit. Ndryshe nga tubimet e mëdha, kreu i PS-së ka preferuar të zbresë në rrugë, nga ku, duke takuar banorët e këtij qyteti, është njohur më konkretisht me hallet dhe shqetësimet e tyre. Rama ka premtuar liberalizim të vizave brenda vitit 2010, si një ëndërr e shqiptarëve që mund të bëhet realitet me një qeverisje të denjë të qytetarëve, e cila do të plotësojë të gjitha kushtet për të bërë të mundur lëvizjen e lirë. Një tjetër angazhim i Ramës gjatë këtyre bashkëbisedimeve ishte ai për tre vite pa taksa për çdo biznes të ri agrar, si një mundësi për të sjellë zhvillimin e vërtetë në zonat rurale të vendit.

Dhënia e certifikatave të pronësisë dhe ministria e posaçme për fshatin është një tjetër nga premtimet me të cilat PS kërkon votën në 28 qershor, për t‘i realizuar. Rama theksoi se sfida më e madhe është lufta me varfërinë, duke nxitur punësimin. "Kjo është një betejë që do ta fitojmë të gjithë së bashku pas 28 qershorit, pasi programi i ngritur për dy vjet nga socialistët do të bëjë që t‘i jepet fund papunësisë, t‘i jepet fund varfërisë dhe pamundësisë në këtë vend që i ka të gjitha mundësitë", nënvizoi Rama. Kreu i PS-së gjatë fjalës së tij u ndal tek fakti se qeverisja e re e socialistëve nuk duhet të kushtëzohet nga mungesa e numrave dhe nuk duhet të bjerë pre e matematikës kuvendore. Rama ka bërë apel për sa më shumë vota për Partinë Socialiste. Duke iu drejtuar banorëve të Patosit, Rama deklaroi se "ju do të votoni edhe për të garantuar që në 28 qershor, ne të kemi një qeveri që nuk është më pre e interesave të kryetarëve, që nuk është më pre e pazareve mes kryetarëve, që nuk është më një top futbolli në këmbët e kryetarëve dhe të lloj-lloj partive që kanë kaq vite që jua marrin shpirtin, pa ju dhënë mundësinë që ta shikoni të ardhmen të garantuar dhe pa ju dhënë mundësinë që të ndjeheni denjësisht të përfaqësuar". Unë, tha Rama kam nevojë për të gjithë ju, në mënyrë që nesër t‘ua kthej 10-fish atë që ju do të bëni mua dhe për PS-në në 28 qershor. "Na i jepni numrat që na duhen për të qeverisur, që nesër t‘ju japim të gjitha mundësitë që ju duhen për të jetuar, pa qenë viktima të këtyre numrave, që prej 18 vjetësh nuk ju kanë lënë të bëni, nuk ju kanë lënë të keni, nuk ju kanë lenë të jeni ata që ju meritoni", vijoi ai. Rama tha se "pas 28 ditësh dua ta sjell qeverinë e Shqipërisë te ju, dua ta çoj qeverinë e Shqipërisë në çdo qytet e në çdo fshat, dua ta bëj qeverinë e Shqipërisë një instrument ndryshimi në duart tuaja, në duart e çdo shqiptari e shqiptareje, që do të jetojë me punë të ndershme, dhe që përmes punës së ndershme, meriton të krijojë mirëqenie për vete, për familjen, për fshatin dhe qytetin e tij. Duke vlerësuar kandidaturat e PS-së për zgjedhjet e 28 qershorit, Rama theksoi se "kjo është një skuadër, dhe oferta jonë është një ofertë e cila ju jep mundësinë të bëni një dallim të madh. Të bëni një dallim të madh, duke kuptuar se vota e 28 qershorit nuk është një votë për individë të veçantë, por është një votë për një program, për një ekip dhe për një lider. Është një votë për një parti të madhe, të shqiptarëve dhe shqiptareve, që quhet Partia Socialiste". Duke vlerësuar fitoren e së majtës në zgjedhjet e 28 qershorit jo si fitore të një individi, por të gjithë shqiptarëve, Rama tha se "pas 28 qershorit nuk do të keni më vetëm një derë, nuk do të keni vetëm një mundësi, nuk do të keni më vetëm një deputet, që herë ju del në telefon dhe herë nuk ju përgjigjet, që herë ua hap derën dhe herë nuk ua hap dhe që mbi të gjitha, që herë voton sipas dëshirës tuaj dhe herë voton sipas interesave të tij. Kjo histori duhet të mbarojë më 28 qershor".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›