E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli çel fushatën në Shkodër

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka çelur dje fushatën elektorale në Shkodër. Ndryshe nga herët e tjera, takimi ka qenë vetëm me gratë, vajzat dhe nënat shkodrane. Në fjalën e saj, Topalli u shpreh se nënat në Shkodër dhe në të gjithë Shqipërinë do të votojnë atë alternativë që ka ndryshuar vendin dhe që do të përmirësojë më tej jetën dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre. Duke sulmuar kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, Topalli u shpreh se "i them kryetarit të Bashkisë së Tiranës, sot nga Shkodra: ti je çuar për të ikur që kur ke votuar kundër rritjes së rrogave, ti je çuar për të ikur kur ke votuar kundër rritjes së pensioneve, ti je çuar për të ikur që nga momenti që proteston për gjëra që nuk ekzistojnë". Sipas saj, kryetari i Bashkisë së Tiranës është çuar për të ikur kur Shqipëria do të merrte ftesën për në NATO, është çuar për të ikur, sepse ai nuk ka program, ashtu siç iku në fakt, kur filloi pika e parë e shiut, në hapjen e fushatës së tij elektorale. Në takim, Kryetarja e Kuvendit prezantoi kandidatët për deputetë të ardhshëm të Shkodrës, emra të spikatur të jetës politike, intelektualë, të shoqërisë civile dhe të biznesit të qytetit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›