Fushata, Rajmonda Bulku shoqëron Topallin në Pogradec
Fushatës së Partisë Demokratike i është bashkangjitur një figurë e njohur e artit shqiptar. Aktorja e njohur, Rajmonda Bulku, shoqëroi dje kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, në Pogradec, nga ku njëzëri deklaruan se Shqipëria po ndryshon. Në fjalën e saj, Topalli tha se vendi po ndryshon për shkak se Partia Demokratike e do Shqipërinë. “Ndokush mund të thotë: Nuk ecet vetëm me idealizëm. Por, unë i besoj dhe unë i besoj plotësisht. Unë besoj se po ta duash këtë vend, ky vend mund të bëhet. Unë besoj se ne i kemi dhënë dashuri. E kemi pasur seriozisht dhe kemi punuar për të bërë reforma. Ajo fjalë që ne e përsërisim aq shpesh, por që në fakt është thelbi i çdo gjëje”, - deklaroi Topalli. Përpara qytetarëve pogradecarë, Topalli falënderoi kontributin e aktores Bulku në lëvizjen e viteve ‘90. “Rajmonda Bulku, në krye të disa grave dhe nënave, pati e para kurajon për të thirrur kundër asaj që ishte diktatura më e egër. Rajmonda, unë nuk ta kam thënë ndonjëherë me zë, por me shpirt ta kam thënë një mijë herë: Faleminderit!”, - deklaroi Topalli.