E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-sekretarja e Bumçit: Shënimi i ministrit, manipulim i medias



Ish-sekretarja e Ministrisë së Drejtësisë, Anjola Agolli, ka hedhur poshtë dje në një deklaratë të saj të gjitha aludimet e ngritura nga shtypi afër Partisë Socialiste lidhur me një deponim të saj në Prokurori rreth një faksi që supozohet se është nisur nga Ministria e Drejtësisë.

“Dëshiroj të vë në dijeni opinionin e gjerë për qëndrimin tim ndaj shkrimeve të publikuara dje në datë 12.05.2009 në mediat e shkruara, duke përmendur personin tim për periudhën që kam ushtruar detyrën e sekretares pranë kabinetit të Ministrisë së Drejtësisë. Marr përsipër që të përgënjeshtroj dokumentet e Prokurorisë, të pasqyruara në shkrimet e mësipërme”, - thuhet në deklaratën e Agollit, e cila ka punuar për një kohë të gjatë në kabinetin e disa ministrave të Drejtësisë, mes të cilëve edhe të ministrit socialist Fatmir Xhafa, për të vazhduar më pas gjatë drejtimit të këtij institucioni pas fitores së PD-së në zgjedhjet parlamentare të vitit 2005, prej ish-ministrit Aldo Bumçi.

“Për sa i përket problemit të “shënimit” të ish-ministrit të Drejtësisë, unë nuk kam pasur asnjë kompetencë dhe as dijeni mbi këtë çështje”, - thuhet në deklaratën e Agollit duke vijuar më pas: “Organet kompetente kanë të drejtën të marrin informacion dhe t’i drejtohen për verifikim për çdo shkresë protokollit të Ministrisë së Drejtësisë”.

Ish-sekretarja e kabinetit të ministrit thotë: “Gjatë punës së përditshme nuk ka qenë detyrimi im që të fiksoja në memorien time persona, individë apo shkresa”.

Ajo rrëzon plotësisht shkrimet e botuara dje duke theksuar se “versioni i paraqitur nëpër mediat e shkruara, janë manipulime. Le t’i japim hapësirë dhe kohë drejtësisë për të zbardhur të vërtetën”.

Deklarata e Anjola Agollit vjen një ditë pasi disa gazeta kanë filluar të botojnë pjesë të manipuluara apo të censuruara të dosjes së Gërdecit dhe në një kohë kur Prokuroria ka heshtur ndaj këtij përdorimi të këtij institucioni për arsye politike nga disa media që janë plotësisht në varësi politike dhe ekonomike prej Bashkisë së Tiranës.

Reagimi i plotë i ish-sekretares së kabinetit të ministrit të Drejtësisë, Anjola Agolli:

Dëshiroj të vë në dijeni opinionin e gjerë për qëndrimin tim ndaj shkrimeve të publikuara dje në datë 12.05.2009 në mediat e shkruara, duke përmendur personin tim për periudhën që kam ushtruar detyrën e sekretares pranë kabinetit të Ministrisë së Drejtësisë. Marr përsipër që të përgënjeshtroj dokumentet e Prokurorisë, të pasqyruara në shkrimet e mësipërme.

Bëj me dije se detyrën e sekretares e kam kryer në bazë të ligjeve dhe rregullores të brendshme të Ministrisë së Drejtësisë dhe nuk kam pasur asnjë lloj problemi. Ndërsa për sa i përket problemit të “shënimit” të ish-ministrit të Drejtësisë, unë nuk kam pasur asnjë kompetencë dhe as dijeni mbi këtë çështje. Organet kompetente kanë të drejtën të marrin informacion dhe t’i drejtohen për verifikim për çdo shkresë protokollit të Ministrisë së Drejtësisë. Ndërkohë që gjatë punës së përditshme nuk ka qenë detyrimi im që të fiksoja në memorien time persona, individë apo shkresa. Dëshiroj të theksoj që versioni i paraqitur nëpër mediat e shkruara, janë manipulime. Le t’i japim hapësirë dhe kohe drejtësisë për të zbardhur të vërtetën.

Miqësisht

A. Agolli

Tiranë, më 12.05.2009

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›