E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI, prezantim programit

Tiranë-Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta ka prezantuar sot strategjinë e fushatës elektorale të kësaj force politike. Meta ka deklaruar se që nga dita e nesërme, duke filluar nga qyteti i Fierit, drejtues së LSI-së, do të shpalosin plan programin e LSI-së për qeverisje.

“Në themel të këtij plani, dhe në themel të këtij “Plani për Veprim” qëndron pikërisht punësimi si shtylla kryesore dhe objektivi kryesor mbi të cilin do të ndërtohet mirëqenia e qytetarëve shqiptarë dhe në radhë të parë e atyre, që janë pa punë dhe e gjithë të tjerëve që sot përjetojnë pamundësinë në rritje për të shprehur aftësitë e tyre, talentin e tyre, njëkohësisht për të ndërtuar një të ardhme të sigurt për veten e tyre dhe familjen e tyre pikërisht këtu në Shqipëri”-theksoi Meta gjatë një konference për shtyp.

Kreu i LSI-së tha se të gjitha politikat qeverisëse, zhvillimore dhe arsimore janë në funksion të punësimit, të krijimit të vendeve të reja të punës dhe sikurse e kemi bërë të ditur prej kohësh, Plani ynë për Veprim dhe programi ynë elektoral dhe qeverisës ka një synim tepër realist, por edhe ambicioz për hapjen e 100 mijë vendeve të reja të qëndrueshme të punës gjatë katër viteve të ardhshme.

“Programi ynë është thellësisht social, sepse Shqipëria ka nevojë për një harmoni sociale për të pasur një paqe sociale dhe një stabilitet social dhe politik afatgjatë, por padyshim që programi dhe plani ynë nuk është i mbështetur vetëm mbi një politikë shpenzimesh, por në radhë të parë është i mbështetur në një politikë të qartë të rritjes të qëndrueshme ekonomike dhe sidomos për nxitjen e rritjes së prodhimit vendas, çka është shumë e rëndësishme për të pasur një ekonomi të qëndrueshme, gjë e cila përkthehet në rritjen e qëndrueshme ekonomike për çdo qytetar të vendit tonë”-vijoi Meta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›