Melankoliket!
Çfarë mund t’i bëjë bashkë katër vajza që mendojnë ditë e natë mbi copëra imazhesh dhe mbushen në ditët me diell me frymëzime dhe në ditët me shi i zë melankolia. Nuk është kaq e thjeshtë sa thuhet natyra e tyre, ndonëse shpërthejnë në ekstreme ngjyrash. Janë plot ndjesi dhe reagime shpirtërore për jetën që bëjnë, protestojnë dhe rebelojnë në mënyrë të çuditshme mbi ngjyra me dy ekstreme: bardhë e zi.
Ato janë të qeta. Mes njëra-tjetrës karakterizohet një ndjeshmëri të komunikuarit, edhe me vizitorët që kërkonin të shuanin kuriozitetin e tyre, menjëherë pasi lexonin njoftimin e një ekspozite me autor katër studente të Akademisë së Arteve. Ato janë Anda Mustafaj, Blerta Zhuri, Dorina Muka dhe Erisa Bode, në ditët e fundit të fakultetit, pasi këtë vit ato diplomohen për grafi. Nuk ngjajnë shumë me bashkëmoshatarët e tyre. Sepse gjithçka që ndodh rreth tyre reflektohet natyrshëm në disa vijëza të çuditshme, që herë-herë nuk gjejnë një kuptim të mirëfilltë në sytë e të tjerëve. Pothuajse gjithçka është bardh e zi.
Kjo të jep idenë e dy ekstremeve, që natyrshëm na çon në ekuilibrin emocional të shqiptarëve. Rrallë e tek gjen ndonjë shenjëz të lehtë rozë apo edhe blu fort të mbyllur. Reflektojnë shumë melankoli, për dikë edhe dramë jetësore, por kjo nuk determinon me patjetër të kuptuarit e një fenomeni negativ. Njëra prej vajzave ngutet të na thotë se nuk janë ndjesi negative, por gjendje shpirtërore të një përditshmërie. Nëse vazhdon të “gërmosh” në të tjera tablo grafikash gjen edhe probleme sociale. Ja si e shikon rinia e sotme shqiptare, jetën, të ardhmen dhe atë çka ndodh mes atmosferës së rëndë politike të këtyre ditëve, por dhe ditëve plot diell në kryeqytet. Me tonalitet primare, siç e thonë ato në gjuhën e tyre teknike, pasi gishti tregues drejtohet nga njëra prej grafikave, duke na lënë të kuptojmë se është fjala për dy ekstremet e ngjyrave, bardh e zi. Po familja? Familja është e shenjtë. Kështu e tregon Erisa, vajza ezmere, me flokët gështenjë e me onde të lehta, të cilën e bënte edhe më serioze e moderne këmisha e bardhë që mbante veshur. Është fjala për ekspozitën e çelur nga studentët e Akademisë FAP, nën kujdesin e kuratorit Petraq Papa. “Grafikë ‘08” është fryt i një pune dyvjeçare e vajzave për të paraqitur 57 punë grafike. E pikërisht kjo është edhe arsyeja prej së cilës ka marrë emrin edhe ekspozita, “Grafikë ’08”.
***
Persona grafikë pa fytyra, të mbushur vetëm me tonalitete bardhë e zi. Mes tyre shumë objekte natyrore apo jo rrallë edhe trajta shtëpiake e forma të çrregullta. Melankolizmi peshon mbi tablotë e tyre, pasi kështu e shprehin gjendjen e tyre shpirtërore, sipas kuratorit të tyre, Petraq Papa. Njëra nga studentet pasqyron karrige bosh, një tjetër njerëz të vetmuar ndoshta edhe pa formë. Ekspozitë e përhumbur. Këto janë linjat në të cilat janë bazuar katër studente të Akademisë së Arteve, për të çelur dy ditë më parë një ekspozitë kolektive në galerinë “FAP”. Ndonëse në këtë projekt vajzat nuk janë mbledhur të përcjellin një tematikë të caktuar, ato janë të çlirëta për të shprehur gjithçka që ndiejnë dhe përjetojnë. Tematikat që kishin prekur janë të ndryshme, janë rezultati i një punë intensive të bazuara në brendinë e tyre emotive. “Këto janë punë të një euforie të tri viteve dhe ndoshta gjykimi më i pjekur vjen tani që ne jemi në vit të katërt, rezultat i një pune shumë të pastër, shpirtërore e të ndjeshme. Tematikat janë të ndryshme mes tyre është trajtuar portrete, teknika të monotipit, shtyp”, - shprehet Dorina Muka, vajza që binte në sy për brishtësinë dhe feminilitetin e saj, mjaft të ndjeshëm. Këtë e tregonte edhe me modelin e flokëve, të thjeshtë e të përshtatshëm me konstruktin e fytyrës së saj prej naiveje. Ajo na tregon se punime të tilla nuk bazohen në arsyetime matematikore, por gjithçka vjen natyrshëm, nxitur më shumë nga momente të vrullshme e të shpejta. “Grafika është më ndjesore, është e shpejtë e lirshme, përcjell emocionin e çastit. Tani që po i shikoj pas njëfarë kohe, pasi grafikat janë realizuar para pak vitesh, gjykimi është më i pjekur tani që i shikoj pas njëfarë kohe. Tani e kuptoj më mirë emocionin e asaj shpejtësie, e atij vrulli”, - shton Muka, e cila në qafë mbante një varëse me një simbol të pakuptueshëm pagan. Ajo na thotë se në grafikat e saj ka nota nostalgjike, shpesh edhe melankolike, që sipas saj, “ndoshta për faktin se artisti nuk është i gatshëm të shfaqë emocionet e të tjerëve dhe në momentin që gjendet përballë punës së tij aty ai shkarkon të gjitha emocionet, shfaq edhe ndjenjat”. Këtë Dorina na e vërteton edhe me ngjyrat që lëvron, ngjyra të vrenjtura jo shumë të gëzueshme. Kështu e pohon edhe ajo vetë, duke thënë se “unë nuk jam “partizane” e ngjyrave primare, nuk jam për kontrastet e forta sepse ato krijojnë goditje shumë të forta. Unë bëj pjesë tek gama e ngjyrave pak më të zbehta, ngjyrat e ftohta më së shumti, pasi aty gjej më mirë edhe ndjenjën e melankolizmit, nostalgjizmit”. Ndërsa për Andën, një tjetër vajzë që kishte paraqitur grafikat me një prej stileve më të veçanta, siç e kishte shprehur edhe një vizitor amerikan, aty gjen hapësirë ëndrra, iluzioni. “Gjithçka që lidhet me intuitën”, - thotë Anda Mustafaj, e cila në të gjitha tablotë transmeton vetëm jetën sociale në përditshmëri. “Kam kapur shumë tema dhe një prej tyre është familja, ambientin familjar, i cili herë vjen i errët, e diku përshkruhet edhe nga një rozë e lehtë dhe e ëmbël. Ana rozë është diçka që përkëdhel, shpreh ndjeshmërinë. Ka një lidhje të jashtëzakonshme me emocionin, melankolinë. Por gjithçka është relative nga tema që kam dashur të trajtoj”, - tregon vajza me shtat të shkurtër. Vazhdojmë ta “ngacmojmë” më shumë atë mbi grafikën e saj, që më pas çlirohet dhe tregon se ka dashur të shprehë gjendjen e vuajtur të shqiptarëve që shikon çdo ditë. “Janë njerëz që shprehin në vetvete shumë, por mundësia për të vepruar nuk ekziston shumë ose nuk është e njëjtë për të gjithë. Jetën sociale, aktuale e shikoj, lë për të dëshiruar, janë të dëshpëruar”, - thotë Mustafaj.
Erisa ka përzgjedhur disa prej shumë tablove të stivosura në shtëpi. Nëpërmjet tyre shpreh momente jetësore, madje në një cikël ajo përshkruan momente të rëndësishme të jetës, që sipas saj, “janë momente të ndjeshme që kam kaluar me pak dramë brenda jo aq tragjike, por jetësore. Sepse jeta në vetvete ka anët e saj pozitive, por edhe ato negative siç dihet, por që në vetvete mund të quhet një dramë, pse jo edhe pozitive”. Por kjo s’do të thotë se jeta duhet parë në një këndvështrim të demoralizuar me doza të theksuara trishtimi, sipas Erisa Mukës, më shumë se një mesazh që në të gjithë ekspozitën të cilësohen vlerat artistike, në mënyrë që gjërat përmirësohen çdo ditë e më shumë. Erisa është autorja e karrigeve bosh, njerëzve me fytyra të fshehura, për të cilat ajo thotë: “Kam treguar një karrige bosh dhe poshtë duken hijet, që kushdo që ta shikojë ta vërë veten në atë karrige të ulur përballë përgjegjësive. Janë edhe karrige të tjera gjithnjë bosh dhe në sfond duken hijet, sigurisht pa portrete, që çdokush që e shikon të gjejë veten e tij, si në pozicionin e familjarit, e bisedës, e një grupimi njerëzish apo në një moment jo të mirë”. Një vend të konsiderueshëm në grafikën e saj zë edhe familja. “Ajo është e shenjtë për mua”, - thotë ajo dhe për ta vënë më shumë në dukje e ka simbolizuar me një tavolinë të rrumbullakët që nënkupton bashkim dhe barazi mes anëtarëve dhe disa hije rrotull saj. Ky është edhe këndvështrimi i të rinjve mbi atë çka ndodh, atë që përjetojnë. “Jetën e shikoj si një vazhdimësi, si një përballje ku na takon të marrim përgjegjësitë tona”, - përfundon Erisa.
****
“Atao kanë pasur një dëshirë prej vitit të kaluar që të hapin një ekspozitë me punët e tyre krijuese. Janë katër nga vajzat më punëtore të grupit të grafikës. Ato kanë eksperimentuar vazhdimisht në teknika të ndryshme të grafikës, kryesisht në monotip”, - shprehet kuratori i kësaj ekspozite, Petraq Papa, duke shtuar se ata eksperienca e tyre detajohet edhe në incizime në film, si dhe miksime të grafikës tradicionale me pikturën, për të cilat ai thotë se “këto eksperimentime për mua janë mjaft interesante”.
Sipas tij, studentet kanë përzgjedhur vetëm disa prej punëve të tyre më të mira dhe në teknikë mikse për t’i shërbyer kështu edhe diplomës së tyre përfundimtare. “Veç këtyre ata kanë edhe shumë punë të tjera të bukura, pasi kam vënë re se janë studente mjaft punëtore. Tashmë është bërë edhe traditë që në fund të semestrit, para se të diplomohen, bëjnë edhe një ekspozitë. Shpeshherë ato organizohen në mënyrë kolektive, por kemi parë që ata kanë marrë iniciativa edhe në mënyrë individuale”, - thotë kuratori Papa.
Sipas tij, ato janë të orientuara shumë më tepër ndaj grafikës, por kjo nuk do të thotë se ato nuk mund të merren me vizatime, me pikturë, instilacion, video etj. “Janë të përqendruara më shumë tek grafika dhe bëjnë pjesë tek atelieri grafikësh”, - pohon ai.
Punimi grafik konsiston më së shumti tek stilizimi i figurës në përgjithësi. Luhet vetëm kryesisht me dy tonalitetet bardh e zi, nëse flasim për grafikën tradicionale. Tablotë e grafikave të paraqitura ndonëse luhet vetëm në dy ngjyra, bardh e zi, shprehin një gjendje emocionale personale të vetë autorit, sipas kuratorit. Për këtë ai thotë se “ashtu si në çdo lloj vepre arti, edhe nëpërmjet grafikës shprehen ndjenja të ndryshme. Por në ndryshim nga lloje të tjera punimesh, grafika është shumë më melankolike. Është shumë më koncize. Mjetet e saj shprehëse janë shumë më të reduktuara dhe të thjeshta sesa piktura. Nëse në pikturë ke mundësi të luash me hapësirën, me dritën e me ngjyrën, në këtë rast të gjitha këto elemente duhen transmetuar nëpërmjet këtyre dy ngjyrave, pra me anë të tonaliteteve bardh e zi. Natyrisht, ky është një moment që e bën edhe më të këndshme si punë apo teknikë dhe kjo është arsyeja që këto vajza janë të përqendruara më tepër në teknikat e grafikës”. Në këtë mënyrë, ato veçojnë personalitetin e tyre krijues nëpërmjet fizionomive specifike të grafikave, ku për kuratorin e tyre, Papa, është një gjetje interesante.
Përgjithësisht, në tablotë e studenteve në galerinë “FAP” janë varur grafika të cilat paraqesin njerëz të paidentifikuar, pasi fytyrat e tyre nuk janë aspak të dukshme. Silueta individësh apo edhe objektesh të ndryshme shtëpiake e natyrore janë të mbushura jo nga forma të qarta, por nga ngjyrat bardhë e zi. “Është një gjendje e tyre emocionale që duan të transmetojnë. Shpeshherë nuk mund t’i shpjegosh me një përkthim fiks dhe t’u japësh një kuptim përfundimtar”, - shpjegon Papa. Një prej tablove më interesante për të dukej një cikël prej katër ose pesë punësh të njërës prej vajzave që kishte kontribuar në këtë ekspozitë, Erisa Bode. “Ajo luan vetëm me karriget ose me portretet bosh. Kjo është një lloj gjendje e saj shpirtërore”, - thotë Petraqi.
Ai tregon se punët e këtyre studenteve i ka ndjekur që prej katër vitesh hap pas hapi, e për këtë nuk mban mend asnjë lloj vështirësie. “Kam qenë i vetëdijshëm se ku kanë dashur të dalin dhe ku qëndron i gjithë potencialiteti i tyre. Kam pasur vetëm një problem teknik, me qëllim që të bëja një shpërndarje sa më interesante për të mos grupuar vetëm punët e një studenti”, - tha ai, duke vijuar se “për këtë jam mundur të bëj një miksim të të gjithave, duke parë lidhjen krijuese të tyre më njëri-tjetrin”. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më datë 14 qershor.