E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fushata boshatis Ministrinë e Financave

Kandidimi i ministrit të Financave dhe dy zëvendësve për deputetë ka krijuar një situatë pune aspak normale në institucionin më të rëndësishëm në vend. Sikur të mos mjaftonte kjo, kandidat tjetër për deputet është dhe një nga drejtorët më kryesorë për politikat fiskale, ndërsa mësohet se tre zyrtarë në poste kyçe janë me leje për shkaqe të ndryshme. Praktikisht, prej dy javësh, në Ministrinë e Financave mungon piramida drejtuese, duke krijuar shteg për një punë joritmike. Me gjithë këta faktorë, prej më shumë se një jave, faqja zyrtare e internetit, nga ku hidhen të dhënat rreth situatës ekonomike, nuk funksionon, duke i vënë vulën gjithë kësaj situate.

Qetësia

Nga vëzhgimet e bëra gjatë katër viteve qeverisëse, Ministria e Financave rezulton institucioni ku punohet me orar të zgjatur, në gatishmëri të plotë dhe ritëm të madh, duke bërë dallim me të tjerat. Zyrtarizimi i kandidatëve për deputetë, ku katër janë nga Ministria e Financave (përjashto këshilltaren e ministrit, e cila garon për Partinë Republikane), ngadalësoi punën në ministri.

Ministri Ridvan Bode garon në zonën zgjedhore të Korçës, rajon që konsiderohet i zotëruar nga e majta, për pasojë nevojitet një angazhim tepër i madh. Zëvendësministri Sherefedin Shehu, që mbulon aspektin e shpenzimeve buxhetore, kandidon për herë të parë për deputet në Qarkun e Dibrës, i renditur i dyti. Shehut i nevojitet goxha punë, edhe pse njihet mirë me zonën nga ku ka prejardhjen. Florion Mima, zëvendësministri tjetër që mbulon anën e taksave, lufton për të qenë deputet për Qarkun e Tiranës, i renditur në pozicion të favorshëm. Zyrtari tjetër i lartë i ministrisë ka nisur prej ditësh fushatën në Elbasan. Bashkë me ta mungojnë dhe disa drejtorë, që për arsye të ndryshme kanë marrë leje. Praktikisht, në ministri vazhdon punën sekretari i përgjithshëm dhe sektori i investimeve.

Të dhënat

Mungesës së zyrtarëve më të lartë në ministri u shtohet edhe mosfunksionimi i faqes zyrtare të internetit. Përdorimi i uebsajtit nga persona të interesuar rreth shifrave ekonomike është i konsiderueshëm, përfshi dhe nga media. Tjetër problem lidhet me rifreskimin e të dhënave, të cilat kanë mbetur në nëntorin e 2008-ës. Gjatë fushatës elektorale përdoren shifra rreth situatës ekonomike, ku 90 për qind prej tyre vijnë nga Ministria e Financave dhe ku 70 për qind i gjen në faqen e internetit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›