Fabregas, zëvendësuesi i Kaka
Edhe pse transferimi i Kaka te Reali i Madridit ende nuk është zyrtarizuar, Milani po mendon zëvendësimin e brazilianit. Alternativa e preferuar nga kuqezinjtë është fantazisti i Arsenalit, Çesk Fabregas. Marrëveshja për shitjen e Kaka pritet të zyrtarizohet të hënën dhe një pjesë të parave të përfituara nga klubi i Florentino Perez, italianët mendojnë t‘i investojnë te mesfushori spanjoll. Sipas "La Gazzetta Dello Sport", Fabregas kërkon stimuj të rinj dhe pas gjashtë viteve dëshiron të largohet nga "topçinjtë". Për të bindur 22-vjeçarin kanë ndërhyrë edhe Flamini e Senderos, ish-lojtarë të Arsenalit. Milani po interesohet edhe për brazilianin Robinjo dhe francezin Maluda, megjithatë, Berluskoni ka deklaruar se zëvendësuesi i Kakasë do të jetë Ronaldinjo. Ndërkohë, nga Montevideo, ku Kombëtarja braziliane do të ndeshet me Uruguain, Kaka ka firmosur fanellën e Realit për një tifoze. "U tregua mjaft simpatik", tregoi Elenis Salustio për "globoesporte.com". "Pa që mbaja fanellën e Realit dhe e autografoi pranë stemës së klubit". Ndër të tjera, mesfushori ka bërë edhe foto me tifozë të ndryshëm, madje ka hedhur autografe edhe në fanellat e Milanit.