E Shtunë, 31 Tetor 2026

Guadriola tundon Ibrahimoviç: Te Barça do të përmirësohet

Pas "tripletës" së titujve, Pep Guardiola mundohet të evitojë çdo diskutim rreth merkatos. Megjithatë, drejtuesi i stolit të Barcelonës nuk tërhiqet mbrapa kur objekt bisede është Zlatan Ibrahimoviç. Për të përditshmen katalane "Sport", trajneri komentonte: "Është një lojtar i madh. Janë të shumtë futbollistët që kur vijnë te Barcelona bëhen edhe më të mirë". Kanë mjaftuar këto dy fjali që të konfirmoheshin zërat se Guardiola do ta mirëpriste sulmuesin suedez. Ylli i Interit duket pranë largimit dhe për momentin "blaugranat" janë alternativa kryesore për të ardhmen e tij. "Ibrahimoviç është një lojtar i madh, ashtu si edhe Vila e Silva", shtoi tekniku kampion i Evropës, duke kujtuar edhe dyshen e Valencias, që shihen si përforcime për sezonin e ardhshëm. Por, kur në skenë del emri i Samuel Eto‘o, ai lë shumë hapësira për interpretime. Kamerunasi, protagonistit i arritjes historike të Barçës, mund të përfshihet në marrëveshjen, nga e cila Ibra do të luajë në "Kamp Nou". "Samuel është një lojtar që ka shënuar dhe do të shënojë gjithmonë gola. Ai është ‘shkaku‘ që Bojan nuk luan shumë, të paktën për momentin. Megjithatë, është fantastike të kesh në skuadër dy lojtarë si ata. Duhet të presim dhe të shohim se çfarë do të ndodhë, koha do të zgjidhë çdo pikëpyetje. Në klub ka njerëz që po punojnë shumë dhe besoj se do të bëjnë gjëra të mira". Ndërkohë, sipas menaxherit Mino Raiola, Ibrahimoviç "dëshiron të transferohet me çdo kusht te Barcelona". Gjithsesi, gjatë një interviste ai pohoi: "Jam i bindur se zikaltërit do ta shesin vetëm nëse marrin një ofertë shumë të madhe financiare. Realisht, është shumë e vështirë që ky operacion të realizohet. Në anën tjetër, mund t‘ju siguroj se Zlatan është mjaft entuziast përballë një projekti tërheqës sportiv dhe një oferte të rëndësishme. Më duket logjike që Morati pretendon shumë para për Ibrën: duhet të ketë çmim të ngjashëm, ndoshta edhe më të lartë se Kristiano Ronaldo apo Kaka, pasi është më i mirë se ata".

Ndërkohë, Barça ka hedhur sytë edhe nga mesfushori i Liverpulit, Havier Maskerano. Për 24-vjeçarin, që ka luajtur 48 ndeshje me përfaqësuesen e Argjentinës, katalanët janë të gatshëm të paguajnë 22.8 milionë euro, ose para dhe kartonin e Erik Abidal. Me Maskeranon, Guardiola shpreson të plotësojë boshllëkun që do të lihet nga Jaja Ture dhe Sejdu Kejta, të cilët do të mungojnë dy muaj për shkak të impenjimeve në Kupën e Afrikës 2009-2010. Edhe pse marrëveshja duket e vështirë, ajo mund të realizohet për shkak të problemeve financiare të "Reds".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›