Fushata e helmeve
Skënder Minxhozi
Përshtypja e përgjithshme është se po shkojmë drejt një fushate elektorale që pritet të jetë jo fort e ndryshme nga ato të mëparshmet. Në krahasim me verën e vitit 2005 nuk ka ndryshuar thuajse aspak sjellja dhe gjuha publike e maxhorancës, e mishëruar në pjesën dërrmuese nga daljet publike të kreut të PD-së, Berisha (i njëjti fjalor, e njëjta metodikë dhe i njëjti stil si në kohën kur ishte në opozitë), nuk ka lëvizur nga vendi antagonizmi tashmë jo më i ri brenda të majtës, mes PS dhe LSI, nuk janë modifikuar as llogaritë e mëdha dhe të vogla që bëjnë partitë kryesore ... dhe ato që u shkojnë pas. I vetmi element “novator” mbetet ndërrimi i stafetës në kokën e PS, me ardhjen e Edi Ramës në vend të Fatos Nanos.
Kjo tablo e vjetër përsëritet në vija të përgjithshme prej pothuaj njëzet vjetësh, qëkurse Shqipëria njohu zgjedhjet e lira dhe votën si instrument i rotacionit të pushtetit. Në momentin aktual axhenda politike dhe publike e partive i ngjan një serbatori të mbushur plot e përplot me elemente që e ushqejnë dhe ngarkojnë papushim ambientin me helmin e akuzës, të urrejtjes dhe denigrimit të kundërshtarit, për shkak se ai ndodhet në një post të caktuar, prej nga duhet zbritur me të gjitha mënyrat, armët dhe hiletë që njeh mendja dhe djallëzia njerëzore. Skandalet e fundit, dosjet e nxehta në duart e drejtësisë dhe një mal me akuza ende të paprovuara, vihen rrezikshëm mbi shtratin e një fushate elektorale, ku do të vendoset me shumë gjasë jo vetëm fati i një maxhorance, por edhe ai i një ikone historike, siç është kryeministri Berisha. Kjo e bën veçanërisht të eksituar lojën politike dhe i përplas palët në një konfrontim që edhe një herë, si në të shkuarën, i ngjan një lufte finale, ku njëra palë do të fitojë gjithçka, kurse pala tjetër do të lerë peng edhe plaçkat e trupit. Ky përjetim ekstrem i një fushate në Shqipëri buron jo vetëm nga kultura e ulët politike e aktorëve kryesorë, por edhe nga temperamenti, zhvillimi ekonomik e social i vendit dhe reflekse që as kanë lindur sot, dhe as do të zhduken dot nesër.
Por Shqipëria ka momentalisht probleme serioze. Ajo nuk ka më kohë për të humbur në impulset dhe shpërthimet e energjisë negative që buron nga politika. Reformat strukturore, afrimi me Evropën, punësimi, infrastruktura, energjia dhe lufta kundër varfërisë, krimi dhe korrupsioni, pa lënë mënjanë krizën financiare, që në një mënyrë a një tjetër do të ketë efektet e saj edhe në ekonominë tonë – të gjitha këto mund të përbënin platformën bazë të një fushate elektorale normale për secilën parti politike që synon votat e zgjedhësve. Nëse i hedhim një vështrim fushatës në SHBA, do të vërejmë se këto tema, në një kontekst tjetër siç është ai amerikan, janë qendrore dhe të palëvizshme. Është e natyrshme që një pjesë e fushatës t’i kushtohet edhe gardërobës së kushtueshme të Sara Pejlin apo origjinës myslimane të Barak Obamës, porse ky arsenal goditjesh “poshtë barkut”, siç shprehen boksierët, përbën pjesën folklorike të një fushate, jo thelbin e saj. Ndryshimi fillon tek sjellja dhe fatkeqësisht sjellja politike e krerëve të partive apo zyrtarëve të tjerë në Shqipëri le shumë për të dëshiruar.
Në Shqipëri i shohim, i lexojmë dhe disa herë mundohemi edhe t’i kopjojmë heronjtë kryesorë politikë të fushatës amerikane, por e bëjmë këtë në një mënyrë thellësisht “shqiptare”. Sepse mjafton të shohësh përmbajtjen e debatit dhe të akuzave të ndërsjella politike mes palëve kryesore, në harkun e një jave, për të kuptuar se tehu i goditjeve dhe i oponencës është mbi individin dhe jo mbi idetë që ai bart. Kësisoj fushata elektorale ku po hyjmë është thellësisht denigruese dhe pak ose aspak ndërtuese. Të shkatërrosh kundërshtarin është pjesë e lojës, e pranuar gjerësisht edhe në demokracitë e zhvilluara. Por të mos kesh minimumin e respektit njerëzor ndaj asaj që ai përfaqëson, të mos kesh pikën e vetëpërmbajtjes dhe ekuilibrit në grushtet që lëshon apo në fjalët që nxjerr nga goja, kjo është e papranueshme. Akuzat pa autor dhe emra konkretë, që Berisha i bëri para ca ditësh opozitës në Parlament, për “njerëz të vrarë me jastëk në kokë në hotelet e Spanjës” apo të tjera skena të ngjashme me zhanrin e horrorit hollivudian, janë vërtet dëshpëruese për atë çka na pret në muajt që vijnë.
Premtimi që Rama ka bërë për një kod të ndryshëm politik komunikimi nga ai i deritanishmi, është parë jo rrallë si një shenjë dobësie, si një kapje e tij nga Berisha dhe maxhoranca. Nëse vetë Rama nuk do të tundohet ta ndryshojë gjuhën dhe sjelljen e tij ndaj kundërshtarëve pikërisht, për shkak të këtij presioni negativ, ne do të kemi në fushatën e ardhshme një premisë jo të vogël normaliteti, do të kemi një palë që flet, ose të paktën mundohet të flasë për problemin dhe jo për njeriun, për fenomenin dhe jo për bartësin e tij.
Është ende herët për të kuptuar diçka nga gjuha konkrete e fushatës, nga taktika dhe lëvizjet e kalkuluara të saj. Por që tani mund të kuptohet se kaubojsat tanë politikë po i mprehin shpatat dhe po i pastrojnë pisqollat për të na bërë edhe një herë që të asistojmë pa dëshirën tonë, në një dyluftim vetëm në dukje epik dhe heroik, por në thelb shumë personal dhe meskin. A e meritojmë sërish një skeptakël të tillë të shëmtuar?!