E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria e 1920 në shkrimet e Joseph Swire

 

Shqipëria, ngritja e një mbretërie” është padyshim libri më i plotë dhe gjithëpërfshirës për Shqipërinë dhe shqiptarët, që është shkruar nga një i huaj. Joseph Swire mes një numri jo të vogël krijimesh letrare, shënimesh udhëtimi, apo sprovash historike të autorëve të huaj për periudha të veçanta të historisë sonë, vepra e historianit britanik Swire zë një vend të posaçëm, si e vetmja histori tërësore e Shqipërisë qysh nga origjina e shqiptarëve deri në dhjetëvjeçarët e parë të shekullit XX. I mbështetur në një pasuri të lakmueshme dokumentarësh dhe bibliografikë, ky libër përveç një informacioni të gjerë dhe shpesh të panjohur për lexuesit shqiptar shquhet për simpatinë e ngrohtë për shqiptarët dhe për përpjekjen e tij të sinqertë, për të nxjerrë në shesh padrejtësitë historikë, që u bënë atyre dhe prapaskenat politiko-diplomatike, ku u gatuan ato. Gjuha shprehëse dhe zhdërvjelltësia e stilit e bëjnë këtë vepër tërheqëse dhe njëkohësisht emocionuese. Botimi në shqip i përkthyer nga Kujtim Ymeri, ka kohë që ndodhet në tregun shqiptar.

joseph swire

Ringjallja e nacionalizmit në Serbi, Greqi dhe Bullgari krijoi në mënyrë të pashmangshme kundërveprimin në Shqipëri. Fakti, që serbët ishin bërë autonomë dhe që grekët kishin flakur tej zgjedhën e sovranit të tyre jepte ushqim për diskutime, por veç kësaj ai kishte pak rëndësi për fiset shqiptare, që kurrë nuk e kishin njohur këtë sovranitet. Që shkaktonte një ankth të madh në Turqi, kjo ishte vënë re. Por si shihej nga shqiptarët e shkolluar? Për disa vjet pas vdekjes së Skënderbeut, shqiptarët u kishin bërë turqve një qëndresë të paorganizuar, ku spikasin kryengritje kombëtare të herëpashershme. Por ndërsa vitet kalonin, këto kryengritje u bënë më pak kombëtare nga karakteri dhe më shumë luftëra lokale për t’u ruajtur privilegjet lokale. Ruajtja nga turqit e autoritetet të bejlerëve feudalë dhe nxitja e xhelozisë midis tyre deri në atë shkallë, sa në disa raste gjejmë që njëri të mbështesë pushtetin e sovranit dhe tjetri për të arritur ndonjë përfitim lokal, mosmarrëveshjet ndërmjet fiseve veriore, gjakmarrja dhe konfliktet civile, mundësitë që u ofroheshin shqiptarëve në besimin muhamedan dhe siguria që ofronte porta përballë sllavëve dhe armiqve të tjerë, të gjithë këta faktorë bashkoheshin për ta ndryrë frymën nacionaliste. Gjithsesi, ata nuk e kishin mbytur dot atë. Precedenti i luftës greke për pavarësi, së bashku me masat drastike të ndërmarra në Shqipëri nga Reshit Pasha, sollën si rezultat revoltën e vitit 1847, që ndonëse u shtyp, në fund të fundit e arriti objektivin e saj me faktin, që Shqipërisë iu dha pak kohë më vonë një administrim më liberal. Më pas, erdhi lufta e Krimesë dhe me të një ngjarje domethënëse. Prej disa vitesh grekët kishin kërcënuar Thesalinë dhe Epirin dhe duke përfituar nga fakti, se Turqia ishte përqendruar në luftën që po bënte me Rusinë dhe nga kryengritja e një pjese të vogël të popullsisë, të cilën ata e kishin nxitur të ngrinte krye, duke e siguruar se do ta ndihmonin, ata, nën komandën e gjeneralit Grivas, u futën në Shqipërinë e Jugut. Por ata dëbuan nga forcat shqiptare të komanduara nga Mahmut Vlora, kurse Britania e madhe dhe Franca parandaluan inkursione të tjera të tyre me anë të një demonstrimi të flotës dhe pushtimit të Pireut. Megjithatë, shqiptarët kishin zbuluar të fqinji i tyre i ri një armim me një politikë kombëtare në territorin, që ata e konsideronin si pjesë përbërëse të mëmëdheut të vet. Këtej e tutje synimet e Greqisë do të shiheshin me dyshim dhe filohelenizmi u diskretitua.

* * *
Më 12 gusht sër Eduard Greji, tha në Dhomën e Komunëve: “Marrëveshja ndërmjet Fuqive, lidhur me kufijtë veriorë të Shqipërisë u arrit pas përpjekjeve të gjata dhe të vështira diplomatike. U vendos që zona bregdetare dhe Shkodra të jenë shqiptare kurse Ipeku, Prizreni, Dibra dhe pas shumë negociatash Gjakova të lihet jashtë Shqipërisë. Ky rregullim le një pjesë të madhe territori, për t’u ndarë ndërmjet Serbisë dhe Malit të Zi si fryt i fitores. Arritja e marrëveshjes ishte thelbësore për paqen në Evropë dhe sipas mendimit tim u realizua pikërisht në kohë për të ruajtur paqen midis Fuqive të Mëdha. Më 12 gusht sër Eduard Greji shtonte, se vështirësia për të arritur në një marrëveshje për kufijtë e veçantë ka qenë shumë e madhe. Të gjithë duhet të sjellin ndërmend sa të vështira dhe sa kritike ishin në disa pika çështje, që dolën lidhur me rregullimin e kufijve veriorë dhe verilindorë të Shqipërisë. Ata u rregulluan para pak kohësh. Tani ne arritëm në një marrëveshje për përcaktimin me disa kushte për të cilat është rënë dakord të kufijve jugorë dhe juglindorë, që do të plotësojë të gjithë kufirin e këtij shteti. Unë jam mjaft i ndërgjegjshëm, që kur të bëhet i njohur i gjithi, ai në shumë pika do të jetë i hapët për kritika nga kushdo që e njeh vendin, që e sheh atë thjesht në përputhje me tiparet lokale”.      

* * *
Më të rëndësishme nga të gjitha ishin kryengritjet e shqiptarëve. Këto kryengritje qenë të shpeshta dhe të mëdha. Shqiptarët fitimtarë marshuan deri në Shkup dhe u kthyen, pasi biseduan me qeverinë turke. Në këto kryengritje udhëheqësi më i fortë dhe kryesor ishte Isa Boletini. Për të ndihmuar planet e Serbisë, e cila së bashku me aleatët e saj, po përgatitej për luftë me Turqinë, ishte e rëndësishme të viheshim në kontakt të afërt me të dhe të shihnim a kishte ndonjë rrugë të mundshme për ta shfrytëzuar pakënaqësinë e tij. Me të ishte e mundur të bisedohej dhe diskutohej vetëm në territorin turk, prandaj ishte e nevojshme të dërgoheshin tek ai persona nga jashtë. Rrethanat në të cilat duhej bërë kjo dhe futja në territorin turk ishin shumë të vështira. Qeveria turke, e vetëdijshme që fqinjët e saj po përgatiteshin për luftë e kishte përqendruar të gjithë vëmendjen te kufiri. Përballë kësaj situate, anëtarët e organizatës, sidomos anëtarët e administratës qendrore, e konsideruan veten të detyruar moralisht ta merrnin vetë përsipër detyrën. Në gjysmën e parë të vitit 1912 majori Tankosiç doli vullnetar të shkonte dhe të bisedonte me Isa Boletinin. Është e natyrshme që në bisedën e parë me shqiptarin e kujdesshëm dhe dyshues, ata nuk mund të arrinin një marrëveshje përfundimtare. Ishte e nevojshme të bisedohej me të përsëri. Menjëherë pas shpalljes së luftës për shefin e shtabit të përgjithshëm ishte e domosdoshme të rregullohej përfundimisht çështja e Isa Boletinit dhe të siguroheshin disa fakte, për disa gjëra përgjatë rrugëve në të cilat do të vepronte ushtria jonë. Për këtë qëllim ishte nevojshme të dërgoheshin personat më të besuar. Dragoin Dimitrijeviç-Apis, Bogdan Radenkoviç dhe Millan Zavadjill u dërguan për këto bisedime të reja me Isa Boletinin.

Rrëfimi i së bijës, për dorëshkrimet e Jozeph Swire

Joseph Swire në 1920 ka qenë për herë të parë në Shqipëri. Veçanërisht në Durrës, ku historia e këtij vendi i ka lënë mbresa të jashtëzakonshme. Më pas ka ardhur shpesh në këtë vend, në vitin 1929, në 1950... ky është rrëfimi i së bijës së tij, Pat Swire, e cila ndodhej dje në promovimin e librit të bërë në ambientet e Universitetit Evropian të Tiranës. “Si të gjithë fëmijët është e vështirë t’u vesh veshin të gjitha historive, që të tregojnë prindërit, por ai ka folur herë pa here, por nuk i kam të gjitha ndër mend. Ai ka ardhur shpesh në vitet ’50-‘60, por ai ka pasur një dëshirë të rikthehet, por s’ka qenë e mundur prej regjimit të asaj kohe”, tregon ajo për të atin, historiani që përveç “Shqipëria, ngritja e një mbretërie”, ka realizuar edhe një libër të dytë për këtë vend. Swire ka qenë gazetar dhe historian. “Kam disa kopje të letrave me Edit Durhamin,  por shumë prej tyre nëna ime ia dha një profesori në Angli, i cili tha se do t’i përdorte dhe më pas i shiti dhe jemi disi të pakënaqur. Ka të bëjë me historinë dhe mënyrën se si e shikonin problemin historik dhe politik të Shqipërisë në atë kohë, njerëz të shquar”, tregoi e bija, dje gjatë aktivitetit në UET. E cila shton, se aktualisht është në botim e sipër një libër shënimesh, që duhet parë nga botuesi tashmë, nëse do të botohet, “Zogu mbreti i shqiptarëve”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›