E Diel, 1 Nëntor 2026

Fushata elektorale 2009, më e shtrenjta në historinë e zgjedhjeve shqiptare



Shaban Sulçe

Fushata elektorale për zgjedhjet e ardhshme parlamentare pritet të jetë më e shtrenjta financiarisht në historinë e fushatave elektorale të proceseve zgjedhore të zhvilluara në Shqipëri. Fatura e kripur e fushatës elektorale të 2009-s është e lidhur së pari me rëndësinë e këtyre zgjedhjeve dhe me pretendimet e mëdha të tri partive kryesore dhe koalicioneve të tyre, ai i PD-së, PS-së dhe LSI-së, për t’i fituar ato.
Shpenzimet e shumta në këtë fushatë do të nxiten edhe për shkak të sistemit zgjedhor, me anë të të cilit do të votohet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Duke qenë se do të votohet vetëm për subjektet politike dhe në nivel qarku, partitë do të jenë të detyruara që të zhvillojnë dy nivele fushatash, në rang kombëtar dhe në rang qarku. Ato do të jenë të detyruara që të zhvillojnë një fushatë agresive, duke mos u kursyer në “hapjen e thesit” për të bërë të mundur shpërndarjen e programit dhe premtimeve të tyre elektorale te çdo votues. Dhe në këtë aspekt shpenzimet më të mëdha që do të kryejnë partitë do të jenë të lidhura me gjithçka që ka të bëjë me promocionin dhe imazhin. Këtu do të përfshihen të gjitha shpenzimet e kripura për elemente të tilla, si reklamat elektronike, posterat, banerat, fletëpalosjet si dhe kryesisht spotet elektorale dhe reklamat televizive në televizione, por edhe në radio dhe gazeta. Spotet elektorale do të përbëjnë betejën më të madhe të partive, por edhe shpenzimet më të mëdha për to.

Elementet e tjera
Shpenzimet e fushatës elektorale për partitë do të konsistojnë gjithashtu edhe në organizimin e koncerteve festive përpara takimeve që do të zhvillohen me elektoratin. Kjo është një praktikë disavjeçare në Shqipëri dhe që zënë pjesë të konsiderueshme të shpenzimeve që planifikojnë partitë në fushatë. Gjithashtu element tjetër janë shpenzimet operative, që kanë të bëjnë me udhëtimet, telefonat, aktivitetet me anëtarësinë dhe aktivistët, bluzat me logot e partive, kapelat etj., të cilat rrisin kostot e fushatës elektorale për secilën prej partive.

Kompanitë

Interesant është fakti se si Partia Demokratike, si Partia Socialiste, ashtu edhe Lëvizja Socialiste për Integrim do t’ua u besojnë fushatën e tyre kompanive të huaja të specializuara në menaxhimin dhe realizimin e fushatave elektorale. Një gjë e tillë nuk do të jetë një risi për zgjedhjet shqiptare, duke pasur parasysh që në vitin 2005, Partia Demokratike ia besoi strategjinë e fushatës së saj elektorale kompanisë amerikane “BG&R”, e cila e ndihmoi në fitimin e zgjedhjeve parlamentare. E njëjta gjë do të ndodhë sërish, por kësaj here kompanitë e huaja për menaxhimin e fushatave pritet të kontraktohen edhe nga Partia Socialiste, edhe nga Lëvizja Socialiste për Integrim.

Elementet e shpenzimeve në fushatë

- Kontraktimi i kompanive të huaja të specializuara për fushatat
- Spotet televizive, radiofonike dhe reklamat në gazeta
- Reklamat elektronike, postera, banera, fletëpalosje
- Koncertet festive
- Shpenzimet operative, telefona, karburant, udhëtime etj.
- Shpenzime për logot e partive për bluza, kapela, stilolapsa etj.

Fushata
Fushata elektorale për zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 do të fillojë zyrtarisht më datën 28 maj 2009, duke qenë se presidenti Topi ka dekretuar dje 28 qershorin si datën e zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri. Fushata do të zgjasë zyrtarisht për 30 ditë dhe pritet të jetë shumë aktive, si në aspektin e takimeve elektorale, ashtu edhe në betejën mediatike dhe promorcionale. Sipas ligjit në Kodin e ri Zgjedhor, fushata do të përfundojë në datën 27 qershor, një ditë përpara zgjedhjeve, për t’i lënë vend heshtjes zgjedhore dhe më pas zhvillimit të procesit zgjedhor.

15 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›