E Diel, 1 Nëntor 2026

Miratohet kuadri makroekonomik dhe treguesit fiskalë për periudhën 2010-2012



Në mbështetje të Nenit 100 të Kushtetutës dhe të Nenit 23, të Ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave vendosi: 1. Miratimin e kuadrit makroekonomik dhe të treguesve fiskale, për periudhën 2010-2012, sipas lidhjes nr.1, “Treguesit kryesorë makroekonomikë” dhe lidhjeve nr.2 e nr.2/1, “Treguesit fiskalë, sipas buxhetit të konsoliduar”, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij. 2. Ngarkohet Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi që hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Tatimi mbi të ardhurat, qeveria kryen disa ndryshime në ligj

Në mbështetje të neneve 81, pika 1 dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave vendosi: Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin nr.8438, datë 28.12.1998, ‘Për tatimin mbi të ardhurat’, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi. Në Ligjin nr.8438, datë 28.12.2008, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar, ndryshimet më të rëndësishme i përkisnin nenit 6 dhe 8. Në të parin ndryshimet ishin mbi inventarin, ku njohja fillestare (me kosto) dhe vlerësimi i inventarit, në fund të periudhës tatimore bëhen sipas metodave të përcaktuara në Ligjin nr.9228, datë 29.4.2004, “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare”, të cilat duhet të zbatohen në mënyrë sistematike. Zhvlerësimi dhe rivlerësimi i inventarit, pas njohjes fillestare, sipas përcaktimeve të ligjit të mësipërm, nuk njihen për efekt të llogaritjes së fitimit të tatueshëm. Ky rregull zbatohet edhe për aktivet financiare dhe aktivet jo materiale”. Në Nenin 8 ndryshimet ishin për pjesëmarrjet, që përjashtohen nga tatimi mbi fitimin. Në përcaktimin e fitimit të tatueshëm të një personi rezident përjashtohen si të ardhura, dividentët dhe ndarjet e fitimit, kur ato shpërndahen nga shoqëritë e ortakëritë rezidente, që janë subjekte të tatimit mbi fitimin, pavarësisht nga kuota e pjesëmarrjes, në vlerë ose në numër, të kapitalit aksioner, të së drejtës së votës apo të pjesëmarrjes në kapitalin fillestar apo aksioner, te përfituesit”.

15 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›