Kodi Zgjedhor për transparencën
Një nga pikat më të kritikueshme nga parterët ndërkombëtarë për procesin zgjedhor në Shqipëri ka qenë mungesa e transparencës në financimin e fushatave elektorale. Për këtë arsye në Kodin e ri Zgjedhor janë sanksionuar disa nene, të cilat tentojnë të bëjnë më transparente dhe më të kontrollueshme financimin që përfitojnë partitë politike gjatë fushatave elektorale. Në Kodin e ri Zgjedhor janë sanksionuar katër kategori, të cilave do t’u ndalohet me ligj financimi i fushatave elektorale. Kështu, kategoritë e mëposhtme janë personat juridikë apo shoqëritë tregtare, të cilat kanë qenë pjesëmarrëse në tenderat publikë gjatë një periudhe 2-4-vjeçare (mbetet për t’u përcaktuar). Lista vijon më pas me personat juridikë apo shoqëritë tregtare, të cilat rezultojnë debitore në shtet. Kategoria e tretë është ajo e personave juridikë dhe e shoqërive tregtare që kanë përfituar nga fondet publike nëpërmjet projekteve shtetërore. Kategoria e katërt, që nuk do të lejohet të financojë fushatat elektorale të partive politike, janë personat juridikë dhe shoqëritë tregtare, të cilat janë aksionere në organet e masmedias shqiptare.
Financimi, Kodi vendos limite
Kodi Zgjedhor, i miratuar së fundi në Kuvendin e Shqipërisë, ka përcaktuar shumën maksimale për financimin e subjekteve zgjedhore në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Sipas Nenit 89 të Kodit Zgjedhor, shuma e dhuruar nuk duhet të jetë më e madhe se 1 milion lekë. Të drejtën e dhurimit nga fondet jopublike do ta kenë vetëm personat fizikë ose juridikë vendas. Sipas Kodit të ri Zgjedhor, çdo subjekt zgjedhor duhet të regjistrojë në një regjistër të posaçëm, miratuar si model
me vendim të KQZ-së, shumën e fondeve të përfituara për çdo person fizik ose juridik, si dhe të dhëna të tjera që lidhen me identifikimin qartë të dhuruesit. Në çastin e dhurimit,
dhuruesi nënshkruan një deklaratë ku zotohet se ai nuk ndodhet në një nga rrethanat e përcaktuara në Nenin 89 të këtij Kodi (pra në kategoritë që nuk lejohet financimi) dhe mban përgjegjësi personale për deklarim të rremë. Në Kod parashikohet gjithashtu edhe ngritja e sistemit të Auditit, i cili do të auditojë financimet që përfitojnë partitë në fushatat elektorale.
15 Janar 2009