E Diel, 1 Nëntor 2026

Lëndët radioaktive, Doganat marrëveshje me Qendrën e Fizikës Bërthamore



Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Përparim Dervishi dhe rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, nënshkruan dje një marrëveshje bashkëpunimi "Për zbulimin dhe luftimin e trafikut ilegal të materialeve radioaktive". Marrëveshja ka si qëllim të forcojë kontrollin doganor për parandalimin, zbulimin dhe neutralizimin e mallrave ose lëndëve radioaktive dhe jonizuese, duke pasur në vëmendje rëndësinë strategjike të ruajtjes së sigurisë kombëtare, të mbrojtjes së mjedisit dhe shëndetit. Sipas marrëveshjes, DPD-ja dhe Qendra e Fizikës Bërthamore të Zbatuar, pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës, bien dakord të bashkëpunojnë për parandalimin e mallrave me nivel rrezatimi tej normave të lejuara, si dhe neutralizimin e tyre kur janë tejet kufirit te lejuar. Marrëveshja parashikon që në rastet kur autoritetet doganore në pikat e kalimit kufitar, ku janë të instaluara pajisjet për detektimin e lëndëve dhe mbetjeve radioaktive, detektojnë mallra me radioaktivitet tej normave të lejuara, njoftojnë menjëherë QEFIB-in. Ekspertët kryejnë kontrollet, matjet e nevojshme apo analizimin e këtyre mallrave dhe për mallrat të cilat kanë rezultuar me radioaktivitet tej normave të lejuara, autoritetet doganore marrin të gjitha masat sipas dispozitave të Kodit Doganor për moslejimin e futjes së tyre në territorin tonë doganor. Edhe në rastin kur mallrat shqiptare të destinuar për eksport rezultojnë me radioaktivitet tej normave të lejuara, QEFIB-ja merr përsipër neutralizimin e tyre.

15 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›