E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: “Për miratimin e buxhetit të vendosin qytetarët e Tiranës”



Lideri i LSI-së, Ilir Meta, deklaron se në rast se kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, nuk do të marrë parasysh vërejtjet dhe propozimet e këshilltarëve të LSI-së për buxhetin e bashkisë, për miratimin e këtij buxheti do të shprehen qytetarët e Tiranës.
“Në rast se mungon vullneti dhe reflektimi për propozimet e bëra nga grupi i këshilltarëve tanë, që buxheti të jetë i detajuar në çdo qindarkë të vetën, e cila duhet të ketë destinacion të sigurt dhe mirëpërdorim në funksion të komunitetit, atëherë nuk do të jetë faji ynë që për këtë buxhet do t’u duhet të shprehen qytetarët e Tiranës me votim”, - tha dje Meta gjatë një konference për shtyp. Kreu i LSI-së komentoi deklaratën e dy ditëve më parë të këshilltarëve socialistë në lidhje me rrëzimin e buxhetit, të cilën e cilësoi fletërrufe. “E keni fjalën për fletërrufenë e djeshme në adresën time dhe të LSI-së nga këshilltarët dhe këshilltaret e Partisë Socialiste? Atëherë, unë pa u marrë me filozofinë e këtyre fletërrufeve të vjetra, që i takojnë revolucionit kulturor, dua t’ju them se përpara se të përdorin atë gjuhë tërë mllef dhe aq të vjetër ndaj Ilir Metës dhe LSI-së, përpara se t’i qajnë hallin qytetarëve të Tiranës, këshilltarët që ishin rreshtuar dje para Bashkisë duhet t’u thonë qytetarëve të Tiranës se pse kryetari i Bashkisë nuk merr pjesë në mbledhje ku diskutohet buxheti i bashkisë dhe a ka gjë më të rëndësishme për një kryetar bashkie, të çdo qyteti në botë, brenda një viti, sesa diskutimi dhe miratimi i buxhetit të Bashkisë. Si e shpjegojnë këshilltarët e Partisë Socialiste këtë injorim dhe këtë nënvlerësim që kryetari i Bashkisë i bën këshillit të votuar nga qytetarët e Tiranës?”, - tha Meta. Kreu i LSI-së tha se këshilltarët bashkiakë të PS-së duhet të heqin dorë nga përralla me modelin të ashtuquajtur të suksesshëm të këtij buxheti, i cili vihet në funksion të karteleve dhe jo në funksion të qytetarëve të Tiranës. “Unë dua t’u them këtyre këshilltarëve se qytetarët e Tiranës nuk i besojnë më përrallat me modelin e suksesshëm që i bën buxhetet në funksion të karteleve dhe jo të qytetarëve. Sepse, qytetarët e Tiranës nuk mund të pranojnë më që një rrugë të paguhet tri herë nga Bashkia e Tiranës dhe përsëri të prishet. Sepse qytetarët e Tiranës nuk mund të pranojnë që një shkollë të paguhet dy herë me taksat e tyre nga Bashkia e Tiranës dhe tavani i saj përsëri të bjerë dhe të zërë fëmijët e Tiranës. Pikërisht pra, propozimet e këshilltarëve të LSI-së kanë qenë tepër të përgjegjshme dhe konstruktive. Ato kanë synuar që çdo qindarkë e taksave të qytetarëve të Tiranës të jetë e detajuar dhe me destinacion të sigurt, që të shkojë në shërbim të komunitetit, të qytetit dhe të të gjithë qytetarëve e banorëve të Tiranës”, - tha Meta.

15 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›