E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studimi i ISHP-së: Vaji i fast-food-ve me përbërje kancerogjene

Specialistët shpjegojnë se qytetarëve u rrezikohet shëndeti nga ky lloj ushqimi. Alban Ylli: “Vaji rezulton të jetë mbi normat e lejuara nga KE-ja”

Emanuela Sako

Vaji i përdorur në fast-food-e ka përbërje të lartë kancerogjene. Specialistët e ISHP-së kanë kryer një studim në disa fast-food-e të kryeqytetit, ku ka rezultuar se vaji i përdorur disa herë prej tyre shfaq rrezikshmëri të lartë për konsumatorët. Drejtori i ISHP-së, Alban Ylli, sqaroi për gazetën “Albania” se ky studim është kryer për herë të parë në vendin tonë dhe rezultatet e tij janë tepër problematike për shëndetin e popullatës. Specialistët kanë kryer kontrolle në terren, ku kanë marrë mostra në 9 pika shitjesh. Nga këto, 67 për qind e tyre kanë dalë me përmbajtje të produkteve polare mbi normat e lejuara nga KE-ja. Kështu, nxënësit e shkollave dhe punonjësit në institucione të ndryshme apo kompani private, që janë konsumatorët e përditshëm të fast-food-eve, janë kategoritë më të rrezikuara nga ushqimet me përmbajtjen e vajit të dëmshëm për shëndetin.
Studimi
Donika Poçari, kimiste pranë ISHP-së, shpjegoi të gjithë procesin që ndodh me vajin e përdorur në fast-food-e dhe rrezikun që u kanoset konsumatorëve. Sipas saj, punëtorët e përdorin vajin për skuqjen e ushqimeve disa herë apo me javë të tëra. Vaji përbëhet nga disa produkte polare që janë të dëmshme për shëndetin e njeriut, por kur ai përdoret në mënyrë të tillë këto produkte shtohen në maksimum. Nga skuqja e herëpashershme e vajit, produktet polare transformohen në produkte kancerogjene. Gjatë konsumimit të ushqimit ato depozitohen në trupin e njeriut dhe shkaktojnë sëmundje të ndryshme, përfshi dhe sëmundjet kanceroze. Megjithëse të gjithë konsumatorët nuk janë në dijeni për këtë fakt, apo shfaqja e sëmundjeve u duket e largët, specialistët sqarojnë se sëmundja është gjithmonë e pranishme dhe shfaqet pas disa vitesh. Ky studim kryhet për herë të parë në vendin tonë dhe konsumatorët apo punonjësit e fast-food-eve duhet të vihen në dijeni, pasi situata mund të jetë tepër alarmante më vonë. Çdo lloj vaji ka një temperaturë të caktuar të skuqjes, e cila nuk duhet të tejkalohet. Prandaj rekomandohet që të lexohen etiketat dhe të ndiqen rregullat e përdorimit të tyre. Vajrat më të mira që rekomandohen për t’u përdorur janë vajrat me përmbajtje vegjetale dhe të rafinuar.
Raporti
Duke bërë një krahasim të vendit tonë me vendet e BE-së, ky raport del se të gjitha vendet e kanë të parashikuar në ligj se sa duhet të jetë përmbajtja e produkteve polare të vajit. Ndërsa në vendin tonë nuk ekziston një ligj i tillë. Në të gjitha vendet e KE-së norma e lejuar e përdorimit të vajit me përmbajtjen e produkteve polare duhet të jetë deri në 25 për qind, ndërsa disa vende të tjera e kanë deri në 30 për qind. Ndërsa në vendin tonë këto shifra janë tepër të larta dhe të frikshme. Duke iu referuar studimit, qytetarët janë tepër të rrezikuar nga ndikimi i këtyre produkteve që merren nga ushqimet e shpejta. Në mjaft raste, ushqimet e shpejta kanë rezultuar të dëmshme për konsumatorët, të cilët i janë drejtuar urgjencës së spitaleve nga helmimet apo simptoma të tjera.

Mungojnë specialistët që duhet të kryejnë kontrollet në terren

Produktet ushqimore që tregtohen në terren duhet të jenë nën monitorimin e vazhdueshëm të specialistëve për të matur cilësinë dhe të bëjnë informimin e vazhdueshëm të qytetarëve për përdorimin e tyre. Një vit më parë, qeveria vendosi ngritjen e një institucioni në varësinë e Ministrisë së Bujqësisë, që është Autoriteti Kombëtar i Kontrollit të Ushqimit. Aktualisht, ky institucion nuk funksionon për arsye të ndryshme, të cilat kanë të bëjnë me organizimin e tij. Nuk dihet ende asgjë për kohën e funksionimit të tij, por deri atëherë qytetarët do të jenë nën rrezikun e përditshëm të ushqimeve që konsumojnë.

Si mund të bëhet dallimi i vajit nga vetë qytetarët

Specialistja Poçari bën të ditur mënyrën se si qytetarët mund ta dallojnë vetë vajin me të cilin do të përgatitet ushqimi i tyre. Të gjithë ata që i afrohen fast-food-eve për të ngrënë duhet të bëjnë disa dallime të vajit në fazën e tij fillestare dhe të atij që është i përdorur shumë herë për skuqje. Vaji mund të dallohet nga ngjyra e tij, e cila nuk duhet të jetë deri në kafe apo të mos arrijë deri në tymosje. Njëkohësisht, nuk duhet të përdoret në rastet kur ka mbetje të ushqimeve të mëparshme. Nuk duhet që vajit të përdorur t’i hidhet vaji i ri, pasi mund të jetë një rrezik më i madh për përdoruesin.

Sëmundjet që shkaktohen nga mbipesha dhe rastet më të përhapura
Ushqimi i fast-food-eve shkakton sëmundje të ndryshme, përfshirë dhe obezitetin që sot është më i përhapuri. Mbipesha është një nga shkaktarët kryesorë të shtimit të sëmundjeve me pasojë vdekjen. Sipas studimeve të kryera nga Ministria e Shëndetësisë, numri i personave mbi peshë ka ardhur duke u rritur. Të dhënat nga Ministria e Shëndetësisë tregojnë se rreth 20% e të rinjve të shkollave të mesme janë mbi peshë, ndërsa te femrat kjo shifër shkon deri në 26%. Duke u bazuar në studimin e kryer në Tiranë del se mbipesha vërehet në shifrat 28.6 për qind në moshat mbi 55 vjeç. Mbipesha bëhet shkak për shtimin e një numri të madh sëmundjesh të rënda, të cilat bëhen të pashmangshme te personat që vuajnë nga masa të mëdha dhjamore. Të gjithë personat obezë kanë një gjendje psikologjike të rënduar për shkak të trupit të tyre dhe problemeve që hasin çdo ditë me shëndetin. Obeziteti quhet ndryshe dhe shëndet i tepërt, ku personat kanë masë të madhe dhjamore, që vjen si rezultat i ngrënies së tepërt dhe djegies së paktë të kalorive të marra, apo depozitimi i tepricave kalorike. OBSH-ja qe e para që me raportin e saj të vitit 2002, “Strategjia globale për dietën, veprimtarinë fizike dhe shëndetin”, reagoi fuqishëm ndaj shtimit të rreziqeve për shëndetin dhe të sëmundshmërisë kronike të lidhur me to. Ajo rekomandoi 6 drejtime strategjike për kontrollin, minimizimin dhe parandalimin e tyre.

Norma e lejuar nga KE-ja
Vendet e BE-së 25 për qind të produkteve polare
Vendet e tjera 30 për qind të produkteve polare
Vendi ynë mbi të gjitha normat e lejuara

Këshilla

* Dallimi mes vajit të përdorshëm dhe atij të papërdorshëm
* Vaji të mos kalojë deri në tymosje
* Duhet të jetë i hollë dhe të ketë ngjyrën e tij dhe jo ngjyrën në nuancë të theksuar kafe, ku dallohet përdorimi i shpeshtë i tij
* Çdo lloj vaji ka një temperaturë të caktuar të skuqjes, e cila nuk duhet të tejkalohet
* Nuk duhet që të ketë mbeturina në fund, të cilat vijnë nga skuqja e ushqimeve të mëparshme
* Të mos hidhet vaji i ri mbi atë të parin që është përdorur disa herë, pasi mund të jetë tepër e rrezikshme

15 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›