E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fushata elektorale Partia Socialiste mbledh Konventen Kombetare

Partia Socialiste ka mbledhur sot Konventën Kombëtare ku do të prezantohen aleatët, kandidatët për deputetë si dhe programi politik i kësaj force politike. Figura të së majtës, aleatë, të rinj dhe simpatizantë opozitarë janë mbledhur në këtë konventë së bashku në prag të hapjes së fushatës elektorale, duke zgjedhur këtë mënyrë për hapjen zyrtare të fushatës elektorale të “Aleancës për Shqipërinë Europiane”.  Shkrimtari i njohur Dritëro Agolli e përshëndeti Konventën nëpërmjet një letre, ku ndër të tjera kërkoi rrotacion dhe fitoren e opozitës së bashkuar më 23 qershor.
Kreu i LSI-së nënvizoi se koalicioni me Ramën nuk është kalkulim numrash, por një marrëveshje në interes të qytetarëve. “Bashkimi i së majtës është një aksion politik për forca politike evropiane dhe për misionarë të së nesërmes evropiane të Shqipërisë. Bashkimi ynë është reflektim i përgjegjshëm dhe në koherencë të plotë me interesin publik të shoqërisë sonë dhe të çdo qytetari shqiptar. Ky koalicion nuk është një kalkulim numrash por është një detyrë dhe përmbushje e përgjegjësisë historike që buron prej dëshirës dhe vullnetit të shumicës dërrmuese të qytetarëve tanë, të cilët kërkojnë t’i japin fund tranzicionit por edhe që presin ndryshime thelbësore pikë së pari në jetën e tyre sociale dhe ekonomike. Nevoja e bashkëpunimit për të ardhmen evropiane të vendit, energjia dhe vizioni ynë i përbashkët për atë se çfarë do të jetë Shqipëria e pas 23 qershorit, vlerat e së majtës moderne dhe progresiste evropiane, solidariteti, humanizmi e kohezioni social formësuan dhe e konsolidojnë çdo ditë koalicionin tonë të fitores, si fuqi kryesore që do të garantojë përfundimisht në këtë vend vendosjen e shtetit mbi pushtetin dhe pushtetit në shërbimin e qytetarëve” tha Meta. Lideri i PS-së shpjegoi se koalicioni i drejtuar prej tij bashkon kontribute nga e gjithë shoqëria, në emër të ndryshimit. Pasi ftoi të gjithë aleatët e tij në skenë, Rama shpjegoi se për të zgjedhja është aq e thjeshtë, sa midis dy trenash.  “Më 23 qershor bashkimi ynë i kthen Shqipërisë të drejtën natyrale për tu qeverisur nga shumica dërrmuese, për të mos mbetur kurrë më peng i pakicës. Qytetarët të zgjedhin vagonin që duan por të mos e ngatërrojnë me trenin e mallrave që po shkon drejt humnerës, ai le të shkojë se aty e ka vendin por të mos marrë me vete shqiptarët e ndershëm. Me trenin e qytetarëve drejt Europës ose me trenin e mallrave drejt humnerës”, vuri në dukje Rama. Kështu, gjatë ditës së sotme nën ritmin e daulleve, socialistët prezantuan zyrtarisht koalicionin e tyre për Shqipërinë Europiane.  Entuziazmi i anuncuesit në Pallatin e Kongreseve, habiti edhe vetë Paskal Milon, i cili në fjalën e tij i mëshoi faktit se vota për të majtën do të sjellë ndryshimin e kërkuar në vend. 
Gjatë fjalës së tij në konventën e Partisë Socialiste, Skënder Gjinushi theksoi se vota për aleatët nuk është dëm, por i shërben fitores. 
Programi dhe ekipi i kandidatëve për deputet, do të jenë gjithashtu në fokusin e konventës dy ditore të socialistëve në Pallatin e Kongreseve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›