Topi uron Sejdiun për 10-vjetorin e çlirimit të Kosovës
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i ka dërguar Presidentit të Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, një mesazh urimi me rastin e 10-vjetorit të çlirimit. Në këtë mesazh Topi e vlerëson këtë një ditë të rëndësishme historike jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë kombin shqiptar. “Dëshiroj sot, që në 10-vjetorin e çlirimit të Kosovës nga forcat e Aleancës më të madhe të lirisë, t’Ju dërgoj urimet më të sinqerta dhe të gëzuara Ju dhe nëpërmjet Jush të gjithë popullit heroik të Kosovës! Kjo ditë e rëndësishme në historinë e Kosovës, në historinë e të gjithë popullit shqiptar, por edhe në atë të rajonit, shënoi kthesën historike të fitores së lirisë ndaj barbarisë dhe diktaturës, dëshmoi pakthyeshmërinë e rrjedhës së mëtejshme të ngjarjeve të rajonit dhe hodhi themelet e shëndosha të pavarësisë së Kosovës, aq shumë të dëshiruar, me të drejtë nga populli i saj, e aq shumë të mbështetur nga bota e qytetëruar. Shqipëria, e vendosur në rrugën e saj euroatlantike dhe e sigurt se marrëdhëniet midis dy vendeve tona, do të prodhojnë një siguri të pashembullt dhe afatgjatë në rajon, do të kontribuojë në planin dypalësh, shumëpalësh dhe global për të ardhmen e përbashkët të dy vendeve”, - shkruan presidenti shqiptar, Bamir Topi.
13 Qershor 2009