E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fushata elektorale, të gjitha incidentet e ndodhura deri sot

Fushata nis vrullshëm me dhunë psikologjike, por edhe me dhunë fizike ndaj aktivistëve të partive. Partitë e opozitës dhe aktivistët e tyre kanë qenë në epiqendër të incidenteve të ndodhura

Shaban Sulçe
Mitingjet spektakolare, me muzikë, këngëtarë, postera, fishekzjarrë dhe elemente të tjera spektakolare të një fushate moderne kanë qenë vetëm njëra anë e medaljes së fushatës elektorale që prej katër ditësh ka nisur zyrtarisht në Shqipëri. Ana e “errët” e kësaj fushate shënon një sërë incidentesh të njëpasnjëshme, të cilat e kanë tensionuar edhe më shumë situatën politike midis palëve kundërshtare për zgjedhjet e 28 qershorit. Panorama e këtyre incidenteve, të cilat nuk kanë qenë të pakta dhe kanë filluar të shtohen në mënyrë të njëpasnjëshme, përmban skenarë nga më të ndryshmit: me ndërprerje dritash në sallat e takimeve, me dhunim dhe djegie të zyrave elektorale, me dhunime fizike të anëtarëve dhe simpatizantëve të partive, si dhe me ndalime dhe shoqërime të protagonistëve të incidenteve në dhomat e ndalimit të komisariateve të policisë.

Incidenti i djeshëm
Incidenti më i fundit i fushatës elektorale ka ndodhur në Njësinë Bashkiake Nr. 6, ose siç njihet ndryshe në zonën e Kombinatit në Tiranë. Protagonistë të këtij incidenti kanë qenë tre punonjës të gjelbërimit të Bashkisë së Tiranës, të cilët kanë hequr dhe kanë dëmtuar banderolat njoftuese të Partisë Demokratike mbi aktivitetin elektoral të nënkryetares së PD-së, Jozefina Topalli. Dëmtimi dhe heqja e këtyre banderolave ka bërë që përfaqësues të PD-së në këtë zonë të bëjnë denoncim në Policinë e Tiranës, e cila ka ndaluar dhe ka shoqëruar tre punonjësit në Komisariatin e Policisë Nr. 6 Tiranë.
Dhunimi
Dy ditë më parë është shënuar rasti i parë i dhunimit fizik që nga koha e fillimit të fushatës elektorale. Viktimë e këtij incidenti ka qenë kryetari i Partisë Socialiste në fshatin Zëmblak të Korçës, Fatos Hysaj, i cili së bashku me kushëririn e tij, Nertil Hoxhalli, janë dhunuar barbarisht nga kryeplaku i fshatit, Bilal Mullalli, i cili njihet si mbështetës i Partisë Demokratike. Mullalli ka sulmuar drejtuesin lokal të PS-së, pasi Hysaj kishte vendosur në shtëpinë e tij flamurin e Partisë Socialiste si dhe kishte shkruar disa parulla në mur në mbështetje të Partisë Socialiste. Sipas dëshmisë që ka dhënë në polici i dhunuari, kryeplaku Mullalli mësohet t’i ketë kërkuar socialistit Hysaj që të mos shkruhet asnjë parullë për të majtët në këtë fshat, ndryshe do të ndëshkohej. Vetë i dhunuari është përpjekur t’i tregojë se nuk ishte ai që kishte shkruar parullën, por pa mundur të bindë kryeplakun për të kundërtën. Kaq është dashur që ai të qëllojë fillimisht me grushte në drejtim të kreut të PS-së në Zëmblak, por dhe kushëririt të tij, Nertil Hoxhalli. Si rezultat i kësaj dhune, Hysaj ka marrë plagë dhe dëmtime serioze në trup.

Zyrat
Zyrat elektorale të Partisë Socialiste kanë qenë objekt i sulmeve të dhunshme nga persona të panjohur. Ditën e hapjes së fushatës elektorale u sulmua dhe u thye zyra elektorale e PS-së në rrugën “Don Bosko” në Tiranë, ndërsa dy ditë më parë u tentua djegia e zyrës elektorale të PS-së në komunën Xhafzotaj të rrethit të Durrësit. Po në qytetin e Durrësit u dëmtuan edhe posterat elektoralë të PS-së. Në ditët në prag të fillimit të fushatës elektorale u hoqën edhe posterat e Partisë G99, të vendosura në autostradë. G99-a denoncoi gjithashtu edhe heqjen e çadrës elektorale në bashkinë e Kamzës, ndërsa aktivistëve të kësaj partie iu bë presion nga forcat e policisë.
Një tjetër parti aleate e PS-së, Partia Demokracia Sociale, denoncoi pak ditë më parë prishjen e mitingut të saj në qarkun e Dibrës nga forcat e policisë, pasi në të njëjtën orë dhe në të njëjtën ditë zhvillonte takim në të njëjtin vend kandidati i PD-së në këtë qark, Jemin Gjana.
Ndërprerja e dritave
Një tjetër fenomen i ndodhur gjatë takimeve në turet paraelektorale, por edhe në fushatën zyrtare zgjedhore, ka qenë edhe ndërprerja e dritave në takimet që ka zhvilluar opozita. Një gjë e tillë ndodhi pikërisht dje, gjatë Konventës elektorale të LSI-së në Pallatin e Kongreseve. Ndërprerja e dritave ka ndodhur për disa herë me radhë në takimet që kryesocialisti Edi Rama ka zhvilluar në qytetin e Librazhdit, Fierit etj.

4 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›