E Diel, 1 Nëntor 2026

“TI” nuk e përfshin Shqipërinë në raportin për korrupsionin: “Nuk gjetëm organizatë të besueshme”



Shqipëria nuk është përfshirë në raportin që Transparency International ka hartuar për vitin 2009 për nivelin e korrupsionit. Në faqen zyrtare të kësaj organizate në internet janë numëruar shtetet që për këtë vit nuk janë monitoruar dhe përveç Shqipërisë, listohen edhe Republika Domenikane, Ekuadori, Franca, Gjermania, Guatemala, Irlanda, Afrika e Jugut, Suedia dhe Vietnami. Transparency International arsyeton se këto vende, të cilat janë futur në barometrin e realizuar në vitin 2007, por mungojnë në raportin e këtij viti, për shkak se nuk është kontraktuar një kompani e besueshme për të kryer monitorimin. “Këto shtete nuk mund të përfshihen në raport për aq kohë sa TI nuk mund të kontraktojë një kompani të besueshme dhe të aftë që të kryejë vëzhgimin e barometrit”, - shkruhet ne faqen zyrtare te Transparency International. Sipas TI, të dhënat për barometrin mblidhen nga Gallup International, por filialet e saj, për shkaqe politike, financiare dhe organizative, nuk kanë qenë në gjendje të zhvillojnë vëzhgimin në këto shtete, përfshi Shqipërinë. Ndërkaq, pjesë e barometrit për korrupsionin ka qenë shteti tjetër i shqiptarëve, Kosova. Kosova është radhitur në grupin e tretë të vendeve të ndikuara nga korrupsioni, duke fituar notën 3.4 dhe sektori më i korruptuar raportohet të jetë ai i Drejtësisë dhe ai i partive politike. Raporti është realizuar në periudhën tetor 2008 - shkurt 2009, hulumtimet janë zhvilluar në 69 vende dhe gjetjet kryesore dëshmojnë se partitë politike, Shërbimi Civil, Parlamenti dhe Drejtësia mbeten sektorët më të korruptuar.

4 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›