E Diel, 1 Nëntor 2026

PS-ja, letër Ministrisë së Brendshme: “Na dorëzoni listat e zgjedhësve”



Partia Socialiste i ka dërguar dje një letër Ministrisë së Brendshme, në të cilën i ka kërkuar përmbushjen e detyrimit ligjor për vënien në dispozicion të listave përfundimtare të zgjedhësve në shkallë vendi, sipas qendrave përkatëse të votimit. Në letrën që mban firmën e sekretarit për Çështjet Ligjore në Partinë Socialiste, Fatmir Xhafaj, vihet theksi te refuzimi dhe ngurrimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile për të plotësuar kërkesën e Partisë Socialiste për njohjen me këto lista. Xhafaj thekson se dorëzimi i listës së zgjedhësve duhet të ndodhte brenda tri ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës, ndërkohë që edhe pse kanë kaluar gjashtë ditë, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, pjesë e Ministrisë së Brendshme, vijon të mos kthejë përgjigje, duke shkelur në mënyrë flagrante ligjin. “Kjo sjellje e qëllimshme është në vazhdën e mungesës së plotë të transparencës dhe komunikimit normal institucional që Ministria që ju drejtoni është duke treguar ndaj subjekteve zgjedhore. Ne i konsiderojmë këto veprime jo thjesht e vetëm shprehje të paaftësisë qeverisëse, por elemente të strategjisë së kësaj maxhorance për ta mbajtur procesin në mungesë transparence dhe për t’i vënë kundërshtarët tuaj politikë në vështirësi organizimi elektoral dhe si një përpjekje për të mbuluar gjurmët e manipulimeve të mundshme të procesit, përpjekje me të cilat ne po përballemi përditë. Ju kujtoj, zoti ministër, se këto janë detyrime të përcaktuara nga Kodi Zgjedhor, çka do të thotë se me këto veprime jeni duke shkelur ligjin. Me shpresën për një përgjigje sa më të shpejtë dhe të angazhuar për të shfrytëzuar të gjitha mundësitë që garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme, në përputhje me standardet demokratike ndërkombëtare, ju shprehim gatishmërinë maksimale dhe pjesëmarrjen konstruktive të PSSH-së në këtë proces shumë të rëndësishëm për të ardhmen europiane të vendit. Ne mbetemi të vendosur në realizimin e një procesi zgjedhor që garanton tërësisht zbatimin e kërkesave të Kushtetutës dhe të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë”, - thuhet në letrën e Partisë Socialiste, drejtuar Ministrisë së Brendshme.

4 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›