E Diel, 1 Nëntor 2026

Fushata, incident në Durrës, hiqen flamujt e PS

Partia Socialiste ka denoncuar kandidatin demokrat për deputet Bedri Luku, për heqjen e flamujve të tyre në Durrës. Ndërsa në afërsi të stacionit të trenit në qytetin bregdetar është hequr dhe më pas është grisur posteri i kreut socialist Edi Rama. 

DURRES- Partia Socialiste në Durrës ka denoncuar kandidatin demokrat për deputet Bedri Luku se ka organizuar heqjen e flamujve të PS të vendosura në shtylla në rrugën Maminas-Manëz.

Në një deklaratë për shtyp dega lokale e kësaj partie bën të ditur se flamujt janë hequr me anë të një vinci në të dyja anët e rrugës. Sipas Partisë Socialiste, dega Durrës veprimet e kandidatit demokrat përbëjnë një dhunim të simboleve të PS-së, të papranueshme në një situatë zgjedhore.

Dega e PS në Durrës deklaron gjithashtu se u ka kërkuar drejtuesve të njësive vendore të Bashkisë Sukth, Bashkisë Manëz dhe Komunës Ishëm
përcaktimin e vendeve të reja per vendosjen e flamujve por deri tani nuk është marrë prej tyre asnjë përgjigje.

Ndërsa një tjetër, rast lidhur me heqjen e posterit të kreut të PS-së Edi Rama ka ndodhur në afërsi të stacionit të trenit në Durrës. Pas thyerjes së xhamit është grisur më pas dhe posteri i kreut socialist nga persona të panjohur. (e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›