E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fushata, incidenti i nëntë brenda pak javëve

Autori i Lajmit: Suela Topi
Fushata elektorale duket se po nxehët përditë e më tepër. Kjo jo vetëm nga akuzat politike mes liderëve kryesorë të partive dhe nga takimet intensive të tyre por dhe nga incidentet që po shënohen ditë pas dite. Dje ka ndodhur një tjetër incident në lagjen Radanec të Korçës ku persona ende të panjohur nga policia kanë sulmuar dhe dëmtuar një zyrë elektorale të Partisë Socialiste në qytetin juglindor të vendit. Policia dyshon se sulmi është kryer natën dhe ka konstatuar dëmin e llogaritur. Ky është i treti incident vetëm për rrethin e Korçës pas atij të ndodhur në Vashtmi dhe Zëmblak. Ndërkohë që janë shënuar dhe incidente në vende të tjera ku më i rëndi ishte ai në Durrës ku humbi jetën një person, militant i Partisë Demokratike.
Incidenti
Përsëri Korça ka qenë qyteti ku është shënuar një tjetër incident parazgjedhor. Zyra elektorale e Partisë Socialiste në lagjen Radanec është dëmtuar gjatë natës me mjete të forta. Policia e qytetit të Korçës bëri të ditur se është sinjalizuar dje në mëngjes për dëmtim të një zyre elektorale të PS-së në qytet. Pasi kanë mbërritur në vendngjarje, efektivët kanë vënë re se xhama e zyrës janë thyer me mjete të forta, gurë, si dhe janë grisur posterat e kandidatëve socialistë për këtë lagje. Policia dyshon se sulmi mund të ketë ndodhur gjatë natës nga persona ende të panjohur të cilët kanë përfituar nga errësuar për të dëmtuar zyrën elektorale. Vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Policia
“Në datën 14 qershor 2009, në orët e para të mëngjesit, në Lagjen 8, Rruga “Vangjel Kocilemi”, në qytetin e Korçës, në zyrën elektorale të subjektit politik të Partisë Socialiste, është konstatuar thyerja e një xhami të këtij objekti. Pas marrjes së njoftimit dhe pas verifikimeve të informacionit është ngritur grupi hetimor për të hetuar në lidhje me këtë ngjarje”, - thuhet në komunikatën e policisë. Nga këqyrja e vendit rezulton se autorë të paidentifikuar gjatë orëve të natës kanë dëmtuar xhamat e dy kanatave të derës së jashtme të zyrës elektorale të subjektit të Partisë Socialiste. Policia ka informuar gjithashtu se ky objekt është në pronësi të shtetasit Irfan Aliu ndërkohë po vazhdon puna për identifikimin dhe dokumentimin e autorësisë së kësaj vepre penale. Materialet u filluan për veprën penale të “Dëmtimit të pronës”. Incidenti më i rëndë i ditëve të fushatës ishte ai i ndodhur në 12 qershor kur një shtetas durrsak i njohur si militant i PD-së është vrarë. Debati për vendosjen e posterave të dy përfaqësuesve të partive më të mëdha politike, Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, i ka kushtuar jetën Artan Zekës, 25 vjeç. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mëngjesin e 12 qershorit në kohën që i riu po vendoste posterat elektoralë të Partisë Demokratike. Ai është qëlluar me armë zjarri kallashnikov. Menjëherë pas ngjarjes 25-vjeçari është dërguar në spitalin e Durrësit ku pas katër orë ndërhyrje nga mjekët nuk ka mundur të mbijetojë. Vetëm 10 minuta pas ngjarjes është vënë në pranga autori i saj, 45-vjeçari Skënder Balla, anëtar i Partisë Socialiste.

Incidentet g0jatë fushatës
21 maj
Incidenti i parë për fushatën elektorale të zgjedhjeve është shënuar në fushatën e G99. Sipas zëdhënësit të G99, njerëz të veshur me uniformë të Policisë Bashkiake janë konfrontuar me aktivistë të kësaj lëvizjeje në Kamëz.

26 maj
Është thyer me mjete të forta hyrja e një zyre elektorale pranë rrugës “Don Bosko” në Tiranë. Zyra elektorale e Partisë Socialiste është hapur disa muaj më parë në funksion të fushatës. Gjatë sulmit është thyer xhami i derës kryesore.

2 qershor
Digjet zyra elektorale e Partisë Socialiste në komunën Xhafzotaj, në Durrës. Sipas policisë, autorët i kanë vënë flakën qepenit të zyrës elektorale dhe kanë djegur flamujt. Policia pohoi se autorët i kanë hedhur benzinë dhe i kanë vënë flakën zyrës.

2 qershor
Kryeplaku i PD-së rreh kreun e PS-së në Zëmblak, Korçë. Parulla të majta në shtëpinë e kreut të PS-së kanë qenë molla e sherrit. Kreu i PS-së së fshatit, Fatos Hysaj, është rrahur së bashku me kushërinjtë e tij të parë.

4 qershor
Incidenti i radhës është shënuar në fshatin Vashtmi, pak kilometra larg qytetit të Korçës. Persona ende të paidentifikuar kanë dëmtuar zyrën e elektorale të Partisë Socialiste në këtë fshat. Mësohet se janë shkulur tabelat ku shkruhej zyra elektorale e PS-së.

10 qershor
Pengohet fushata e G99-ës. Ngjarja ka ndodhur në zonën e Porcelanit në Tiranë. Sipas policisë, përfaqësuesit e kësaj force kanë qenë duke vendosur një çadër dhe një banor i zonës ka tentuar të mos i lejojë.

11 qershor
Tatimorët kanë sekuestruar librat e deputetit Ben Blushi, në ambientet e një qendre tregtare në Tiranë. Këtë akt botuesi i librit Fatmir Toçi dhe Kryetari i PS-së, Edi Rama, e kanë cilësuar si akt politik.

11 qershor
Përfaqësues të Partisë Socialiste kanë akuzuar Partinë Demokratike se ka tentuar të heqë nga qendra e qytetit një poster të madh të kryesocialistit Edi Rama, për shkak të një mitingu të mbajtur në Gramsh nga kryeministri Sali Berisha.

12 qershor
Një 25-vjeçar, Artan Zeka ka mbetur i vrarë në Qerret të Durrësit pas një debati për vendosjen e posterave elektoralë në qendër të fshatit. Ai është qëlluar me armë zjarri kallashnikov nga e 45-vjeçarit Skënder Balla.

Ky lajm është publikuar: 15/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›