E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Do të legalizojmë zonat informale

Autori i Lajmit: Suela Topi
Zonat informate të kryeqytetit kanë qenë ndalesa e radhës e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama në kuadër të turit të tij elektoral. Rama ka vijuar dje takimet derë më derë në njësitë numër 8 dhe 9 si dhe në Bathore. I shoqëruar nga kandidatët për deputetë në qarkun e Tiranës, ai u ka premtuar banorëve legalizimin e shtëpive, si një detyrim i domosdoshëm me të cilin, sipas Ramës, politika e vjetër është tallur. Kryesocialisti në Bathore është ndalur në shtëpinë e një ish-luftëtari të UCK-së, familja e të cilit është e ardhur në periferi të kryeqytetit. Duke vijuar takimet në lagjen “Besa”, në njësinë numër 8, Rama theksoi se legalizimi do të jetë vetëm hapi i parë i një projekti të detajuar që ka Partia Socialiste për këtë zonë, ndër të cilat edhe Komiteti i Zhvillimit të Rrethinave. Duke e cilësuar premtimin e kryeministrit për legalizim me letra me vlerë si një mashtrim të radhës, Rama theksoi se në Shqipëri ka ardhur koha që kapitujt e demagogjisë të mbyllen njëherë e përgjithmonë. Ai u premtoi banorëve të këtyre zonave se Partia Socialiste do të ketë pas 28 Qershorit një kabinet qeverisës me dhe për njerëzit, duke pasur si objektiv ndryshimin rrënjësor të vendit në çdo skaj të tij.
Deklarata
Partia Socialiste do të realizojë brenda një kohe të shkurtër atë që nuk bëri dot qeveria e Berishës, legalizimin e banesave pa leje, duke ngritur për këtë qëllim, Komitetin e Zhvillimit të Rrethinave. Deklarata vjen nga kreu i partisë më të madhe në opozitë, Partisë Socialiste, Edi Rama i cili duke shkelur derë më derë në lagjet periferike të Tiranës, aty ku numërohen mijëra ndërtime pa leje, është angazhuar se PS në qeveri do të legalizojë banesat e tyre. Duke kaluar në rrugën Besa, në njësinë nr. 8 Rama ka takuar një nga një të gjithë të ardhurit të cilëve u ka treguar vizionin e tij dhe të Partisë Socialiste, jo vetëm për legalizimin e ndërtimeve aty, por duke shkuar edhe më tej në ngritjen e Komitetit të Zhvillimit të Rrethinave. “Ne do të ndërtojmë një politikë të re për rrethinat, do të ngremë një Komitet Shtetëror për zhvillimin e rrethinave, në rang ministrie, që do ta shoh këtë pjesë të komunitetit tonë dhe do t i shoh të gjitha rrethinat e ndërtuara, me mundin e të ardhurve nga zonat e varfra të Shqipërisë, jo vetëm rreth Tiranës, por edhe Durrësit dhe qyteteve të tjera, jo vetëm si një proces legalizimi, sepse ky është vetëm hapi i parë, por edhe si një proces integrimi urban”, - tha ai. Madje Rama pohoi se do të ngrihet dhe një fond i veçantë për të transformuar infrastrukturën e këtyre zonave, jo vetëm infrastrukturën fizike, që ka të bëj me rrugët, kanalizimet, ujësjellësit, por edhe me infrastrukturën sociale, si çerdhet, kopshtet, shkollat, madje edhe hapësirat e përbashkëta sportive e kulturore. “Ky nuk është një premtim, ky është një angazhim, nuk ka asnjë rrugë tjetër, përveç rrugës së realizmit të të gjitha këtyre pasurive”, - deklaroi kreu i selisë rozë. Në këtë tur derë më derë, Rama ka rikujtuar edhe premtimin e pambajtur për këta banorë të ardhur nga rrethe të ndryshme për legalizim që në vitin e parë të qeverisjes, premtim i cili është edhe pak ditë larg mbylljes së mandatit qeverisës ende i parealizuar. Sipas Ramës edhe premtimi i ri për legalizim të ndërtimeve me letra më vlerë është një tjetër gënjeshtër e Sali Berishës. “Sali Berisha sot jo vetëm nuk i ka legalizuar këto ndërtime të reja, jo vetëm e ka shkelur këtë premtim, jo vetëm e ka rishkelur besimin e pakushtëzuar të njerëzve të rrethinave për 18 vjet që i kanë dhënë, por është shfaqur me një rrenë të re, me letrat me vlerë, ndërkohë që shqiptarët e dinë fatin e letrave me vlerë, të gjithë e dinë se çfarë kanë pësuar me këto letra me vlerë dhe të gjithë e dinë, se tani është koha për ta mbyllur këtë faqe të historisë 18 vjeçare të premtimeve e zhgënjimeve”, - tha ai duke shtuar se është koha për të hapur një faqe të re. Si në çdo takim Rama edhe në këtë tur derë me derë ka premtuar se qeveria e tij do të jetë pranë njerëzve ashtu siç ka qenë opozita e tij.

Ky lajm është publikuar: 15/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›