E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kartat, sot skadon afati për aplikimet

Autori i Lajmit: Suela Topi
Sot skandon afati i fundit i vendosur nga Qeveria për aplikimin për karta identiteti i të gjithë qytetarëve që nuk kanë pasaportë. Në limitet e këtij afati kohor Ministria e Brendshme ka përsëritur thirrjen për qytetarët pa pasaportë që të aplikojnë për dokumentet e reja të identifikimit. Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Fatmir Konja ka publikuar dje të dhënat deri minutën e fundit për numrin e aplikuesve për letërnjoftime. Sipas Ministrisë shifrat janë pozitive. Sipas tij deri ditën e shtunë kanë aplikuar për letërnjoftimin elektronik 1 354 00 shtetas, janë prodhuar 1 253 000 mijë letërnjoftime dhe janë tërhequr nga qytetarët 932 500 letërnjoftime elektronike. Në vazhdimësi të procesit të pajisjes së qytetarëve me dokumentet e reja të identifikimit, Ministria e Brendshme u ka drejtuar apel shqiptarëve të shkojnë sa më parë nëpër zyrat përkatëse dhe të mos e braktisin procesin. Procesi i pajisjes së qytetarëve me dokumentet e reja përfundon zyrtarisht sot. Ndërkohë në fund të këtij afati Ministria e Brendshme pritet që të publikojë dhe emrat e të gjithë personave pa pasaportë që kanë aplikuar për kartë identiteti dhe atyre që kanë mbetur pa aplikuar. Kjo e dhënë është kërkuar prej kohësh nga Partia Socialiste madje ka qenë dhe shkak pë rakuza dhe kundër-akuzash mes selisë rozë dhe Ministrisë së Brendshme.
Të dhënat
Një ditë para skadimit të afatit të aplikimit për kartat e identitetit për shtetasit pa pasaportë, Ministria e Brendshme ka deklaruar se ka mbërritur në 1 354 000 numri i aplikimeve. Ndërkohë që numri i kartave të prodhuara, gjithnjë sipas ministrisë ka arritur në 1 253 000 dhe numri i letërnjoftimeve elektronike të tërhequra në 932 500. Përmes zëdhënësit të saj, Fatmir Konja, Ministria e Brendshme i është drejtuar me një apel gjithë qytetarëve shqiptarë që nuk kanë pasaportë dhe nuk janë paraqitur ende për të aplikuar, të shkojnë sa më parë për të mbyllur këtë procedurë, në mënyrë që të votojnë. “Zyrat i kanë në dispozicion 14 orë në ditë, nga ora 08:00 e mëngjesit deri në orën 22:00 të mbrëmjes”, - tha ai. Dy ditë më parë ministria deklaroi se aplikimi për letërnjoftimet elektronike përfundon më 15 Qershor dhe qytetarët pa pasaportë duhet të nxitojnë të aplikojnë dhe të tërheqin kartat. Të shtunën një nga bashkitë më të mëdha në vend, ajo e Vlorës raportoi se gjysma e shtetasve pa pasaportë nuk janë pajisur me karta identiteti. Ndërkohë Ministria e Brendshme përmes zëdhënësit tha se i kërkon edhe një herë të gjithë qytetarëve, të cilët kanë aplikuar për letërnjoftimin elektronik, që të paraqiten pranë zyrave të aplikimit për të tërhequr dokumentin e tyre, tashmë të prodhuar. Nga ana tjetër, Kryetari i bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika doli në një konferencë për shtyp, ku u shpreh se deri më tani janë shpërndarë karta vetëm për gjysmën e aplikuesve, shifra këto të ulëta, po të krahasohen me një proces normal. Gjika ka bërë me dije se ka kallëzuar penalisht firmën që lidhet direkt me këtë proces. “Procesi i aplikimit dhe shpërndarjes së letërnjoftimeve elektronike, proces ky i menaxhuar nga qeveria dhe kompania ALEAT është një proces tërësisht i dështuar dhe selektiv në favor të Partisë Demokratike”, - ka deklaruar ndërsa ka shtuar se duke e konsideruar mision të përbashkët plotësimin e standardeve të procesit zgjedhor, vazhdimisht ka kërkuar ndihmë për transparencë dhe ecurinë progresive të ti por për fat të keq deri më sot angazhimi ka rënë në vesh të shurdhër. Sipas tij nga 46.242 aplikantë, për të cilët qëllimisht nuk jepet informacion se sa janë pa pasaportë, janë shpërndarë deri sot vetëm 23.601 karta identiteti, dhe për këtë Gjika ka ngritur padi penale ndaj kompanisë ALEAT. Para pak ditësh ministri i Brendshëm, Bujar Nishani tha se janë rreth 250 mijë shtetas pa pasaportë të cilët nuk kanë aplikuar për letërnjoftimin elektronik. Kjo do të thotë se 1/10 e votuesve rrezikojnë të humbin të drejtën për të zgjedhur. Shkak që këta shtetas rrezikojnë të mos votojnë pas dy javësh janë bërë problematikat e ndryshme që kanë shoqëruar procesin e aplikimit gjatë këtyre muajve. Në disa zona të thella të vendit, zyrat e aplikimit u hapën disa javë më vonë, për shkak të terrenit të thyer. Veç kësaj, interneti dhe mungesa e kapaciteteve njerëzore në këto zyra kanë qenë një tjetër pikë problematike e procesit.

Të dhënat
Sot afati i fundit për aplikimin e personave pa pasaportë
Kanë aplikuar për letërnjoftimin elektronik 1 354 000 shtetas
Janë prodhuar 1 253 000 mijë letërnjoftime
Nga qytetarët janë tërhequr 932 500 letërnjoftime elektronike
Zyrat në dispozicion 14 orë në ditë, nga ora 08:00 e mëngjesit deri në orën 22:00 të mbrëmjes

Reagimet për kartat
PS: 10 për qind e qytetarëve mbeten pa votuar

Mijëra qytetarë do të mbeten pa votuar për shkak se nuk janë pajisur me letërnjoftimin elektronik. Partia Socialiste ka denoncuar në këtë mënyrë, problemet me kartat. Sipas deklaratës së bërë tre ditë më parë nga Kastriot Islami, numri i votuesve pa pasaportë që nuk do të kenë në dorë letërnjoftimin, pra që nuk do të kenë mundësi të votojnë, do të jetë më shumë se 10 për qind. Sipas Partisë Socialiste shifrat që jep Ministria e Brendshme janë të pakuptimta dhe nuk kanë asnjë lidhje me zgjedhjet në Shqipëri. "Nuk është e rëndësishme se paskan aplikuar rreth 1.3 milionë, kur Qeveria nuk është në gjendje, apo nuk dëshiron të japë shifrën sesa votues pa pasaportë kanë marrë në dorë letërnjoftimin dhe këtë shifër nuk e ka dhënë asnjëherë”, - ka thënë sekretari për Çështjet Zgjedhore, Kastriot Islami. PS ka arritur në konkluzionin se me kartat e identitetit dhe me regjistrin civil të përqendruar kjo qeveri realizoi dështimin e fundit, pra degjeneroi edhe teknologjitë moderne.

ODHIR: Kartat e identitetit te kontestueshme

Ambasadorja e ODIHR në Shqipëri Odri Glover është shprehur pak ditë më parë se ecuria e procesit zgjedhor për zgjedhjet parlamentare të Qershorit do të varet shumë nga kartat e identitetit. Në një intervistë të gjatë për Dojçe Vele në shqip, Glover ka theksuar se nuk është e lehtë të parashikohet se si do të shkojë procesi i pajisjes me kartat e identitetit. “Ne vijmë këtu krejtësisht të paanshëm, pa ide, paragjykime dhe gjykime të mëparshme”,- ka pohuar Glover. Më tej duke shtuar se ka qenë ODIHR-i që pati sugjeruar më parë gjetjen e mënyrave krejtësisht të besueshme për identifikimin e votuesve, Glover ka theksuar se aktualisht e rëndësishme është pajisja e atyre, që nuk kanë një pasaportë. “Është e qartë që kjo është një çështje, e cila i takon qeverisë, por gjithashtu edhe partive politike, madje edhe vetë qytetarëve, pasi prej tyre varet, nëse dëshirojnë të shkojnë dhe të marrin kartën e identitetit. Pra përfshihen të tria palët. Duket qartë që kartat e identitetit janë të rëndësishme dhe që tani përbëjnë një çështje të kontestueshme”, - është shprehur ajo.

Uithers: Rrezikojnë qytetarët pa pasaportë

Në prag të zgjedhjeve parlamentare, qeveria amerikane nëpërmjet trupit diplomatik të akdredituar në Tiranë, ka thënë alarmin se një kategori e konsiderueshme zgjedhësish rrezikojnë të mos votojnë. Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Xhon Uidhers e ka cilësuar këtë një problem me rëndësi kritike dhe votën të rëndësishme. “Askush nuk duhet të pengohet për të votuar”, - ka deklaruar Uidhers për mediat ku renditi një sërë problemesh teknike që pengojnë procesin e pajisjes së qytetareve me karta identiteti. Uidhers u ka bërë thirrje qeverisë dhe gjithë forcave në vend të gjejnë zgjidhje të menjëhershme dhe të bëjnë çdo përpjekje që zgjedhjet të realizohen në 28 Qershor.
Ambasadori amerikan është shprehur i shqetësuar për zgjedhësit pa pasaportë. Sipas tij ka mbetur ende i paqartë numri i atyre që janë pa pasaportë dhe që nuk kanë marrë ende karta identiteti, ndërkohë që edhe kjo kategori duhet të votojë në zgjedhjet e 28 Qershorit. Megjithëse ai shtoi se në këtë rast problemi nuk është qeveria, por indiferenca e qytetarëve për të aplikuar. Gjithsesi Uidhers ka kërkuar që KQZ, si institucioni përgjegjës për zgjedhjet të informohet për personat pa pasaportë.

OSBE vlerëson infrastrukturën, e shqetësuar akuzat e PS-së

Koordinatori special i OSBE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve të 28 Qershorit, Uolfgang Grosruk, u shpreh se nuk ka asnjë dyshim se për përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore është bërë një punë e shkëlqyer e profesionale dhe sugjeroi nga ana tjetër që të shfrytëzohen të gjitha mundësitë ligjore për të forcuar klimën e besimit mes forcave politike për organizimin e zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe duke përmbushur standardet ndërkombëtare. Kështu është deklaruar nga Ministria e Brendshme pas takimit të Grosruk me ministrin Bujar Nishani. Koordinatori i OSBE-së është interesuar mbi pretendimet e Partisë Socialiste për mungesë transparence dhe mungesë informacioni. Për këtë gjë ai ka kërkuar informacion nga ministri i Brendshëm por dhe nga krerët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Nishani ka bërë të ditur se Ministria e Brendshme ka vënë në dispozicion të PS-së dhe komisionit parlamentar ad-hoc çdo informacion të kërkuar, duke përjashtuar vetëm rastet kur dhënia e këtij informacioni nuk ka qenë e lejuar për konfidencialitetin e të dhënave personale
Ky lajm është publikuar: 15/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›