E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrugëdalje për Zhvillim të Mirëfilltë

Rudina Seseri 

Kur në programin e Partisë Socialiste ne themi se do të ndërtojmë një model tjetër zhvillimi, se do të ndryshojmë
faktorët e rritjes ekonomike, drejt një strukture tjetër shumëkush mund të pyesë: Si do ta bëni këtë? Në radhë të parë duhet të theksojmë vazhdimisht rëndësinë që kanë tregjet e lira në një ekonomi tregu, pavarësisht nga sektori. Ndërkohë që politikën makroekonomike të mirëfilltë duhet ta bëjë qeveria. Për të kuptuar çfarë duhet ndryshuar, në radhë të parë duhet të kuptojmë me çfarë përballemi ne sot. Shqipëria është rritur pak a shumë nga 4%-6% në 18 vitet e fundit dhe kjo rritje ekonomike nuk ka garantuar dhe nuk mund të garantojë një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm.
Në Shqipëri kemi rritje ekonomike, por nuk kemi zhvillim. Kjo duket paksa paradoksale, por është realiteti, pasi kur rritja nuk përkthehet në ulje të papunësisë, ngritje të mirëqenies ekonomike, apo në ndryshimin e dinamikave ose të përqindjeve të përbërësve të ekonomisë, kjo rritje nuk mund të përfaqësojë zhvillim. Është rritur ekonomia, por se ku ka shkuar kjo rritje nuk dihet. Arsyeja pse është rritur ekonomia, në fakt, është falë reformave të gjeneratës së parë. Reformat e gjeneratës së parë janë reforma që u morën në fillimin e viteve ’90, për kalimin nga një ekonomi e përqendruar në një ekonomi tregu; domethënë liberalizimi i kurseve të shkëmbimit, liberalizimi i çmimeve, hapja e kufijve për kapitalet, por më e rëndësishme për mallrat. Reformat e gjeneratës së parë janë politikat më të hershme që ndërmerren, më të lehtat dhe që kanë efekt stabilizues makroekonomik, sepse praktikisht ne edhe sot e kësaj dite po mjelim, po shtrydhim rezultatin e këtyre politikave në rritjen tonë ekonomike.
Që kjo rritje ekonomike të transformohet në zhvillim nevojitet ndërmarrja e reformave të gjeneratës së dytë, të cilat i kanë ndërmarrë shtetet fqinje si Bullgaria apo Hungaria dhe që tashmë janë në një stad ekonomik tjetër nga i yni. Eshtë e rëndësishme të theksohet që këto reforma janë më të vështirat për t’u ndërmarrë dhe kërkojnë ndryshimin e rolit të shtetit në një rol mbështetës dhe mbikëqyrës. Ndërmarrja e reformat të gjeneratës së dytë do të nxiti zhvillimin e tregjeve; dhe këto politika nxitëse do të jenë konsistente dhe të qëndrueshme. Çfarë ka ndodhur në 18 vitet e fundit është që, për shembull, politika tatimore dhe taksore e sotme ndryshon nesër, ndryshon përsëri pas një muaji duke u kthyer në një kosto reale për sipërmarrësit. Për më tepër, sipërmarrësve një ditë i caktohet referenca e çmimeve, të nesërmen i caktohet referencat e rrogave të të punësuarve. Këto lloj politikash iu ngjajnë politikave bolshevike në ekonomitë e centralizuara. Në perëndim kjo nuk gjendet. Nga eksperiencat investitore në perëndim, ne dimë që kur marrim një vendim investimi dhe krijojmë një kompani të re, ne motivojmë individë që kanë ide të reja, shpikin teknologji inovuese dhe i financojmë; por ne nuk ndërhyjmë kurrë në përcaktimin e rrogave apo menaxhimin direkt të kompanisë, megjithëse paratë janë tonat. Jo më të mendohet që të ndërhyjë shteti dhe të përcaktojë rrogat e të gjithëve.
Nuk është ky roli i shtetit. Roli i shtetit është të nxisë tregjet që të zhvillohen, të sigurohet që ka rritje të mirëqenies kolektive, duke i balancuar politikat makro-ekonomike me politikat sociale, të arsimit etj. Pra, një rol mbështetës dhe mbikëqyrës. Kjo nuk ka ndodhur në Shqipëri. Ku shihet kjo? Po të shohim përbërjen e Produktit të Brendshëm Bruto (PBB-së), ose ta quajmë thjesht të ekonomisë në një mënyrë më të thjeshtë, do të shohim se Shqipëria sot në 23% të ekonomisë mbahet me bujqësinë. Kjo është një shifër që denoncon moszhvillimin e këtij vendi, sepse edhe në vitin 1990 bujqësia ka qenë po 23%, pra ekzaktësisht sa është sot. 
Po cili është problemi që rreth 23 për qind e Prodhimit të Përgjithshëm Bruto e zë bujqësia? Në radhë të parë ta krahasojmë Shqipërinë me vendet e tjera dhe pastaj t’u përgjigjem pyetjes. Ndërkohë që 23% e ekonomisë shqiptare e zë bujqësia, në Bullgari ajo është 8.9%, në Serbi 16.6%, në Bosnje-Hercegovinë, një nga vendet që konsiderohet më i paqëndrueshëm në Ballkanin Perëndimor, është 14.2%, në Maqedoni 13% dhe në Hungari vetëm 3.1%; ndërkohë që në Bashkimin Europian është vetëm 2.1%. Pra, bujqësia zë vendin më të lartë të ekonomisë në Shqipëri.
Pse është kjo përqindje tregues moszhvillimi? Në radhë të parë të gjitha këto vende prodhojnë më shumë produkte në sektorin e bujqësisë sesa prodhon Shqipëria. Pra, kanë një produktivitet më të lartë se Shqipëria, megjithëse si përqindje e ekonomive fqinje bujqësia është më e vogël. Për më tepër, prodhimet e bujqësisë në Shqipëri nuk arrijnë të tregtohen. Sot banorët e zonave rurale prodhojnë ushqime për vetëjetesë. Produkti i tyre bujqësor nuk shkon as në tregjet lokale, jo më në tregjet rajonale ose ndërkombëtare. Pra, përbën një pjesë kaq të madhe të ekonomisë, por në fakt është vetëm për vetëmbajtjen e banorëve të zonave rurale.
Ka edhe një element tjetër që injorohet në diskutimet e zhvillimit ekonomik. Po të analizojmë punësimin në bujqësi do të vëmë re që Shqipëria për këtë 23% të ekonomisë që i dedikohet bujqësisë, punëson 58% të popullsisë. Çfarë tregon kjo? Nuk kemi produktivitet dhe kemi një energji, një potencial produktiv human që nuk arrin të kontribuojë në mënyrë produktive në ekonominë shqiptare. Ky është një problem i jashtëzakonshëm. Për ta vënë zhvillimin ekonomik të Shqipërisë në vijën e duhur, duhet që bujqësia të bjerë si përqindje e ekonomisë shqiptare, por duhet të rritet produktiviteti dhe sasia e kualiteti i produkteve agrare.
Si rritet produktiviteti? Duke vënë në punë makineri të reja, teknologji të reja. Por, natyrshëm lind pyetja, ku mund të përdoren këto makineri? P.sh., në komunën e Niklës në Qarkun e Durrësit, akoma shihen njerëz që punojnë tokën me parmendë. Imagjinoni në shekullin e XXI të punohet toka me parmendë. Dhe për më keq, edhe sikur sot të duam të përdorim traktorin në këtë zonë, politikat e qeverisë aktuale e bëjnë të pamundur këtë. Nuk mund të hyjë traktori, sepse Shqipëria është i vetmi vend që 100% të tokës bujqësore, të marrë në pronësi private është nën 5 hektarë. Në fakt, mesatarja jonë është 1.4 hektarë, ndërkohë që sipërfaqet poshtë 5 hektarëve janë 62% në BE. Pra, ne kemi problemin se sipërfaqet janë shumë të vogla dhe nuk hyn dot teknologjia; së dyti, nuk është thjeshtë që sipërfaqet janë të vogla, është që një zotëri, një familje që ka në pronë toka bujqësore i ka ato të shpërndara kuturu, pak dynym këtu, pastaj dynymët e fqinjëve, pastaj përsëri dynymët e zotërisë së parë.
Gjëja më e parë dhe më e rëndësishme që do të bëjë Qeveria Rama në kontekstin e këtij diskutimi është nxitja e tregut të tokës nëpërmjet politikave ekonomike dhe fiskale. Qëllimi është që t’i japim qytetarëve të zonave rurale mundësinë të transformohen nga vetëkonsumues të produkteve të tyre, në fermerë – pra në sipërmarrës në zonat rurale. Ne do t’u japim mundësinë këtyre fermerëve të ardhshëm, motivimin dhe nxitjen financiare për krijimin e sipërmarrjeve në bujqësi. Siç arritën individë të ndryshëm në qytete të transformohen në sipërmarrës, edhe banorët e zonave rurale që qeveria e djathtë i ka abandonuar në emër të “vetëpunësimit”, ne do t’i motivojmë të krijojnë fermat e tyre private. Në përmbledhje, gjatë qeverisjes Rama, në tortën e PBB-së bujqësia do të zërë më pak përqindje, por do të jetë më produktive dhe do të prodhojë më shumë.
Kur flasim për zhvillimin ekonomik, duhet të rriten shërbimet dhe industria e prodhimit si shenja të rëndësishme të një ekonomie të zhvilluar. Në vendet e zhvilluara, shërbimet dhe industria e prodhimit si përqindje të ekonomisë janë në nivele shumë të larta. Në kontrast, qeveria e djathtë, për herë të parë në 18 vite i ka ulur shërbimet dhe industrinë e prodhimit. E shprehur ndryshe, ka keqmenaxhuar ekonominë drejt regresit.
Ne do ta ndryshojmë këtë regres dhe do ta rivendosim ekonominë në udhën e zhvillimit ekonomik. Industria e prodhimit dhe turizmi do të luajnë një rol të rëndësishëm në këtë kuadër. Të fokusohemi pak tek turizmi. Çfarë ndodh në Shqipëri është që turizmi zhvillohet vetëm gjatë 2 muajve të verës dhe është turizmi i plazhit ose siç quhet ndryshe turizmi i rërës dhe detit. Mbi 60% të turistëve janë shqiptarë etnik që vijnë nga Maqedonia, nga Kosova dhe brenda për brenda Shqipërisë. Atëherë duhet një nxitje urgjente, në radhë të parë për këtë lloj turizmi për të marketuar Shqipërinë dhe për ta pozicionuar siç duhet në tregjet ndërkombëtare, sepse turizmi në fund të ditës është një produkt që i ofron vendi ynë të gjithëve dhe si çdo produkt duhet të marketohet dhe të pozicionohet siç duhet. Për më tepër, në themel të zhvillimit të turizmit, duhet të kemi një infrastrukturë të integruar; dhe kjo nënkupton jo një rrugë atje dhe një rrugë këtu, por një sistem infrastrukture të integruar që mundëson lëvizjen e lehtë të turistëve dhe mallrave. Pra, infrastruktura e integruar është një element kyç. Për t’iu kthyer turizmit, përveç turizmit të detit dhe të rërës, duhet të kultivojmë edhe turizmin arkeologjik dhe atë kulturor. Qendrat tona arkeologjike kanë potencialin për t’u vizituar nga shumë të huaj që kanë një fuqi të lartë harxhuese. Çfarë bëhet? Shumë shpesh kalohet nga Italia drejt për në Greqi dhe Shqipëria mënjanohet. Përsëri duhet të pozicionohemi në këto tregje për të zhvilluar turizmin kulturor dhe arkeologjik. Duhet të krijojmë kushte të infrastrukturës së integruar që të zhvillohet turizmi dhe duhet të kultivojmë forma të tjera turizmi. Këto janë vetëm disa aspekte të politikave të ardhshme të zhvillimit ekonomik të Shqipërisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›